Ngjarje

Elvis Shkambi, letër nga burgu: E di që familja e gjyqtarit më urren, por vendimi ishte skandaloz

Gazeta Si – Në një letër me shkrim dore nga ambientet e paraburgimit, Elvis Shakmbi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka shprehur keqardhjen e tij për dhimbjen që u ka shkaktuar familjarëve të të ndjerit.

Ai i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjes Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. Shkambi sqaron se veprimi i tij në ditën e ngjarjes ishte një “reaksion i palogjikshëm” ndaj një vendimi “skandaloz”.

Në letrën e shkruar prej 8 faqesh, Shkambi cilëson fillimisht se heshtja e tij për ngjarjen, ka ardhur në respekt të familjes Kalaja për humbjen e tyre.

“Prej 13 vitesh, xhaxhai im Gjon Shkambi, ishte kthyer në një ‘eksperiment’ njerëzor nga sistemi gjyqësor në Shqipëri”, shkruan i riu në letër, teksa vijon më tej duke analizuar vendimin e gjyqtarit “kur unë po mundohesha t’i jepja fund këtij ‘eksperimenti’, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi vazhdimin e atij eksperimenti”.

“Të kundërshtosh një padrejtësi ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, përveçse është moralisht e drejtë, është diçka burrërore dhe fisnike, por jo çdo mënyrë reagimi ndaj padrejtësisë është e duhura, apo justifikikohet”, shkruan më tej Shkambi, teksa sqaron se ishte në dijeni të veprimit të tij të paligjshëm, ndaj dhe u vetëdorëzua menjëherë.

Shkambi, në letër ka vënë dhe një pjesë nga poezia e tij, të shkruar nga ambientet e paraburgimit, që paraqet versionin e tij të situatës së ndodhur mesditen e 6 tetorit 2025.

“Dhe kur në Olimpin e të Padrejtëve mbjell frikë

Ata bëjnë një tjetër komplot të djallëzuar

Me gënjeshtra, shpifje dhe çdo intrigë,

Që përpara botës të dalësh ‘fajtor’”, është një pjesë e poezisë së shkruar nga Shkambi, që ai e ka ndarë në reagimin e tij publik, përmes letrës nga burgu.

Duke analizuar vargjet e tij të poezisë, Shkambi akuzon e disa magjistratë të Republikës së Shqipërisë, duke shkruar: “Në Shqipëri, ka plot magjistratë të aftë e të ndershëm, por ka dhe shumë të ligj, e për këta të fundit nuk kanë fe, as atdhe, as pikë morali njerëzor. Këto specie mizore e përdorin ‘çekiçin e drejtësisë’”, teksa shton “e kanë kthyer ‘peshoren e drejtësisë’ në një gjë thuajse abstrakte, e cila vetëm shihet: as nuk preket, as nuk ndihet”.

Një thirrje pati për fëmijët e të ndjerit Kalaja, “Gjithashtu, po u drejtohem sërish fëmijëve të të ndjerit: paralelisht me urrejtjen që kultivoni ndaj meje, kërkoni për të vërtetën! Ata që shtyjnë babain tuaj të merrte një vendim totalisht të padrejtë janë po aq fajtorë sa unë që ai nuk është sot me ju”.

Në përmbyllje të letrës, Shkambi shkruan se shteti shqiptar dhe ai kanë për t’i dhënë shumë “llogari ndaj njëri-tjetrit”.

“Unë kam shumë për të treguar dhe do tregoj kur të jetë momenti. Unë dhe shteti shqiptar e njohim mirë njëri-tjetrin dhe jam besimplotë që do i japim llogari njëri-tjetrit për dëmet dhe padrejtësisë që i kemi bërë njëri-tjetrit”, e mbyll letrën ai.

Vrasja ndodhi më 6 tetor 2025, kur Shkambi vrau me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja, në ambientet e brendshme të sallës gjyqësore, në Apelin e Tiranës, pasi shpalli vendimin për një konflikt pronësie.

Ai ndërroi jetë gjatë kohës kur po transportohej në spital, ndërsa Ragip dhe Ervis Kurtaj, të palës tjetër, mbetën të plagosur.

Pas krimit të rëndë, 32-vjeçari Shkambi u vetëdorëzua në polici, ku pas prangosjes deklaroi se vrasja ishte fundi i dhjetëra vendimeve të padrejta që ishin dhënë kundër familjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë