Muzike

Elton Deda – Festivali në RTSh si kthim në gjenezë

(c) PHOTO: ARMANDO META, PHOTOGRAPHY

Atëkohë, kur era e ndryshimeve kishte depërtuar perden e hekurt të izolimit, edhe në fortesën e fundit të komunizmit, të rinjtë e etur për të luajtur rrokun që kishin mundur ta dëgjonin fshehurazi, formuan grupet e para muzikore dhe nuk vonuan të ngjiten në skenën e vetme, që i mbante sy e veshë shqiptarët për tri net. Në festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, si pjesë e grupit “Tingulli i Zjarrtë”, Elton Deda do të ngjitej që në vitet e para ’90, kur këndonte me zellin dhe vrullin rinor këngën e kompozuar prej tij, “Jemi emri i vetë jetës”, e cila pas atij debutimi në skenën që po thyente menjëherë ngurtësinë formale, qysh prej festivalit të 11-të, u kthye në himn për brezin e ri, që besonin se do ta shihnin një ditë vendin si e gjithë Europa. Ne jemi emri i vetë jetës, ne tek e sotmja të ardhmen kërkojmë, ne atdheun tone si askush tjetër, ne drejt Europës do ta çojmë, këndonte Deda, i cili i rikthehet Festivalit të Këngës, në edicionin e tij të 57-të, që mbahet nga 20 deri më 22 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.

“Festivali i fundvitit përfaqëson bërthamën e gjenezës sime, sepse kam dalë nga ky festival”, do të shprehej Elton Deda, ndërsa prezantonte këngën e tij më të re, konkurruese në këtë edicion, të titulluar “Qetësisht”. “Është mesazh për jetën”, për mënyrën sesi Eltoni e sheh jetën”, zbulon ai, “Vjen një moment që njeriu e kupton shumë mirë se kush është pozicioni i tij në hapësirë dhe ç’përfaqëson jeta për të”. Ashtu si edhe titulli, kënga vjen përmes tingujve të qetë, ndërsa vetë Deda do ta karakterizonte më shumë si të rrymës indie, sesa rrok.
Dikur unë vrapoja i lirë ngado, nuk e dija që bota ish një vend për djaj. Shpresa dhe zhgënjimet m’i solle pranë, u mësova që mos t’i ndaj, por t’i përqesh. Yjet sonte po më flasin, dua të më mbrojnë por unë besoj tek ty…Rruga shkurtohet por unë prapë shoh dritë, fëmijët po rritën dhe qielli po shndrit. Kurrë s’do të më duash siç të dua unë, ndaj dua të të tregoj qetësisht, këndon kantautori, i cili gjatë gjithë karrierës së tij muzikore, ka përçuar mesazhe edhe përmes lirikave si “Na lini të jetojmë, “Qytet i vjetër” apo “Nuk kërkoj tjetër njeri” e “Të pranoj si je”.“Shkruaj muzikën që më pëlqen, gjërat që më pëlqejnë dhe nuk pretendoj kurrë për Eurovizion apo gjëra të ngjashme”, mendon ai, duke shtuar se Eurovizioni i vërtetë për të, është gjurma që lë tek publiku. “Për Eurovizionin nuk kam asnjë lloj konsiderate dhe këtë e kam thënë edhe herë të tjera. Nuk jam njeri që shtirem dhe bëj komplimente për gjëra që i shoh larg vizionit tim artistik”, do të përgjigjej kohë më parë.

https://www.youtube.com/watch?v=gaDVNek3AcI


Vitin e kaluar, në edicionin e 56-të, Elton Deda do të sillte këngën “Fjalët” dhe ndryshe nga vitet ’90, kur përfaqësonte brezin e ri që ishin emri i vetë jetës, do të këndonte për një brez të ri, të karakterizuar nga teknologjia Brez i ri, k’rrusur ecën, diellin vetëm la! Fjalët,kan’ harruar, s’flitet si më parë! Kur e pyesnin për entuziazmin e brezit të tij me atë që është sot, Deda do të përgjigjej “ Brezi im, i viteve ‘90, kishte gjëra të tjera plus, faktorin revolucion, ndërrimin e sistemeve, ide të reja. Sot komercializimi global është mbytës dhe këtu rinia jonë nuk ka asnjë faj. Nuk është faji i saj që bota ndryshon për keq.”Ajo çka vlerëson tek Festivali i këngës në RTSh është rikthimi i artistëve. “Shpresoj që vit pas viti t’i kthehen emrat dhe reputacioni”, thotë kantautori, i cili tre vjet më parë ishte edhe drejtor artistik i të 54-tit festival të Këngës, duke rikthyer në skenë, pas vitesh mungesë, emra të njohur të muzikës shqiptare. “Sigurisht që emrat janë garanci për cilësinë e Festivalit”, do të thoshte Deda, por duke shtuar se “nuk jam që Festivali të jetë monopol i emrave, pasi kemi shumë të rinj që aspirojnë dhe që do jenë më vonë ata që do pretendojnë të ndërtojnë karrierat e tyre ashtu si ne”. Pas koncerteve dhe netëve live gjatë këtij viti me këngëtarët Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi si “Tre Musketierët”, mendoi t’i kthehej festivalit, për atmosferën e tij. 

“Mua Festivali më pëlqen, atmosfera, live, provat, performanca dhe të gjitha bashkë, bënë që të shkruaja diçka modeste për të”, do të thoshte, pa marrë parasysh çmimet.
Në festivalin e dhjetorit, në vitin 1991, “Tingulli i zjarrtë” me vokalist Elton Dedën do të shpallej si grupi më i mirë. Pas 27 vitesh, kur festivali ka qenë një nga stacionet, të cilit Deda i është kthyer e rikthyer besnikërisht, edhe pas largimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kthehet me tinguj të qetë, duke kënduar atë, siç thotë ai vetë, që ia ndjen shpirti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë