Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Luis Alberto, mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, shfaqet duke u prezantuar para lojtarëve të Lacios me këngën “Bella Ciao”, një këngë mjaft popullore që lidhet me lëvizjen partizane. Dhe disa tifozë të Lacios nuk e kanë pritur aspak mirë.
Siç është bërë traditë tashmë, lojtarët e rinj prezantohen para grupit, duke kënduar një këngë para të gjithëve. Këtë ka bërë edhe Elseid Hysaj, 27-vjeçari shqiptar që tashmë është bashkuar me Sarrin dhe Lacion, pasi i dha fund aventurës te Napoli. Në videon e postuar në Instagram nga Luis Alberto, Hysaj shfaqet duke kënduar “Bella Ciao” dhe kjo zgjedhje e tij ka shkaktuar shumë reagime në rrjetet sociale.

Disa tifozë të Lacios, qartësisht me ide politike ndryshe nga ato që shpreh kënga e kënduar nga Hysaj, e kanë sulmuar, ose janë tallur me shkodranin. “Po të këndoje himnin e Romës, do të ishte më mirë”, “është më mirë të luajmë me 10”, apo “po a e di ky se nuk është në Livorno?” – ishin disa nga komentet e tifozëve për Hysajn.
Në realitet, ka pasur edhe tifozë që e kanë shpërndarë videon, sepse janë të kënaqur me faktin që imazhi i Lacios, shpesh i lidhur me ekstremin e djathtë, po rivlerësohet në Itali dhe në Europë. “Lacio dhe fashizmi nuk janë sinonime”,- është fjalia që shoqëron si diçiturë videon e shpërndarë nga këta tifozë. Prezantimi i Hysajt para shokëve të ekipit është kthyer në një motiv përplasjeje mes tifozëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




