Futboll

Elseid Hysaj i rilindur, mbrojtësi kuqezi faktor në ngjitjen e Lacios

Gazeta Si – Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid, Hysaj, po kalon një moment shumë të mirë të karrierës, më të mirin që kur ka veshur fanellën e Lacios. Trajneri Sarri gjithmonë e ka vlerësuar dhe i ka besuar verbërisht shqiptarit.

Shkodrani prej javësh ka zënë vend në të majtë të mbrojtjes së Lacios dhe e ka rritur ndjeshëm nivelin e lojës, duke qenë një pikë fikse në prapavijë. Edhe në ndeshjen e fundit me Moncën, ku Lacio fitoi 0-2, duke ‘blinduar’ vendin e dytë, Hysaj ishte në fushë për 90 minuta.

hysaj feston me ekipin golin e Pedros ndaj Monces. Gazeta Si, 3 prill 2023

Shtypi sportiv italian e ka vlerësuar me notën 6, ashtu si gjithë pjesën tjetër të mbrojtjes laciale. Futbollisti kuqezi duket se ka rilindur. Pozicioni te Lacio e ka perfeksionuar Hysajn edhe për Kombëtaren. Në ndeshjen me Poloninë ai u aktivizua po në të majtë dhe bëri një paraqitje të mirë.

Mbrojtësi që mban shiritin e kapitenit në Kombëtare është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në radhët e kuqezinjve. Me këtë nivel që ka aktualisht te Lacio, ai mund ta ndihmojë edhe më shumë skuadrën e drejtuar nga Silvinjo në ndeshjet e qershorit. Sa i takon Serisë A, Hysaj dhe Tare po ecin të sigurt drejt Championsit me vendin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë