Elsed Hysaj la verën e kaluar Napolin, ku luajti për gjashtë sezone, duke nisur që nga ai 2015/2016. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka pasur ulje-ngritje me këtë skuadër, nga e cila u largua në fund të kontratës për të kaluar te Lacio dhe mentori i tij, trajneri Mauricio Sarri.
Por llogaritë e Hysajt me Napolin kishin mbetur të hapura për shkak të gjobave që përfshinë këtë skuadër në 2019-ën, pas ndeshjes me Salcburgun. Dhe sot Kolegji Arbitrar ka vendosur ta dënojë Hysajn me 40 mijë euro gjobë, që ai duhet t’ia shlyejë Napolit.

Në nëntor të dy viteve më parë, disa futbollistë të Napolit, mes të cilëve edhe Hysaj, nuk iu bindën klubit, që kishte vendosur për një grumbullim të detyruar në qendrën sportive të Kastelvolturnos. Kolegji ka saktësuar se ishte klubi dhe jo trajneri i atëhershëm Ançeloti që kërkoi grumbullimin dhe se nuk bëhet fjalë për ndëshkim, përderisa u zhvillua në një ambient të klubit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




