Gazeta Si – Gjyqtarja Elsa Ulliri, ka paraqitur kërkesën e saj për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”, ku mes 5 të pandehurve është dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate, Andia Ulliri.
Në lidhje me këtë, GJKKO, thotë se do të vendoset nëse do të ketë një njoftim për këtë çështje më 21 korrik, kur është caktuar dhe seanca e radhës.
Por pavarësisht kërkesës së gjyqtares, ajo do të jetë e pranishme në seanca dhe treshja e gjyqtarëve të aferës “Partizani” mbetet e njëjtë, por nuk marrin dot vendime.
“Nisur nga interesi i lartë nga ana juaj për t’u informuar nëse gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesë për dorëheqje nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, etj…, me porosi të Zëvendëskryetarit të Gjykatës Z. Erjon Bani, ju bëjmë me dije se lidhur me këtë pjesë do të informoheni në seancën gjyqësore të rradhës, datë 21.07.2025, ora 10:30, ku trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë si dhe vendimmarrja e titullarit, në rast se ka pasur vendimmarrje”, njofton GJKKO.
I pyetur për kërkesën e gjyqtares Elsa Ulliri për t’u dorëhequr nga gjykimi i kësaj dosjeje, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha: “Ajo ishte në seancë. Për sa kohë që një gjyqtare bën muhabete në korridore dhe vjen drejton seancën janë historira të tejkaluara. Unë se di këtë fakt, ajo sot ka drejtuar seancën gjyqësore. 10 ditë përpara që është bërë kjo kërkesë, nuk duhej lënë të vinte dita e gjykimit dhe do ishte marrë një vendim. Duhet të ishte marrë.”, tha ai.
Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.