Elon Musk po kërkon t’i japë fund ofertës 44 miliardë dollarëshe për të blerë Twitter, duke pretenduar shkelje të shumta të marrëveshjes.
Biznesmeni miliarder, Elon Musk tha se po i jep fund ofertës prej 44 miliardë dollarësh për të blerë Twitter, duke thënë se gjigandi i mediave sociale dështoi të jepte informacion të mjaftueshëm për llogaritë e rreme.
Në një letër drejtuar bordit të Twitter-it, avokati i Musk, Mike Ringler, akuzoi kompaninë për dështimin në dorëzimin e të dhënave në mënyrë që Musk të mund të analizonte se sa të përhapura ishin llogaritë “e rreme ose të padëshiruara”, thuhet në njoftimin e 8 korrikut.
Bordi i Twitter tha se ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes, të njoftuar për herë të parë në prill, dhe sinjalizoi se mund të padisë Musk.
Fama dhe pasuria e Musk-ut rrjedhin kryesisht nga kompania e tij e makinave elektrike Tesla, por edhe nga kompania private e hapësirës SpaceX, anija kozmike e së cilës tashmë po transporton astronautë dhe ngarkesa në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Pjesa më e madhe e dramës rreth marrëveshjes është zhvilluar në Twitter, me Musk – i cili ka më shumë se 100 milionë ndjekës – duke pohuar se kompania nuk po arrinte të përmbushte potencialin e saj si një platformë për fjalën e lirë.
Twitter ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Ish-presidenti Donald Trump ishte një përdorues i zjarrtë i platformës.
Në muajin janar 2021, Twitter-i tha se llogaria e ish-presidentit Donald Trump ishte “pezulluar përgjithmonë…për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës” pas trazirave në të cilat protestuesit sulmuan objektet qeveritare amerikane në Uashington.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.