Lojëra me Dore

Eliminimi i papritur! Medvedev i kthen fronin Gjokoviçit, Nadal arrin në 400 fitore

Gazeta Si – Eliminim i papritur në “Indian Wells” i numrit 1 të botës, Danil Medvedev, i cili humbi ndaj Gael Monfils, numrit 28 në botë, me rezultatin 4-6, 6-3 dhe 6-1. Rusi u ndal në turin e tretë të “Masters 1000” të parë të sezonit dhe është i detyruar t’i kthejë fronin Novak Gjokoviçit. Ndryshimi do të publikohet të hënën e 22 marsit.

Dy orë e 6 minuta zgjati ndeshja me vuajtje e Medvedevit, që u shuajt në fillimin e setit të dytë dhe më pas nuk mundi të reagonte, duke regjistruar shifra shumë të dobëta, 28 gabime dhe vetëm 20 goditje fituese. Edhe francezi nuk është se la mbresa me shifrat, por ia doli të bënte 5 ‘break’.

Për Monfils është fitorja e dytë kundër numrit 1 në botë, të parën e ka arritur në Doha, në 2009-ën, kur mundi me një dopio 6-4 spanjollin Rafael Nadal. Në total, Monfils ka mundur 13 herë një lojtar të 5 vendeve të para të klasifikimit.

Rafael Nadal. Gazeta Si, 15 mars 2022

Provoi drithërimat në debutim ndaj Sebastian Korda, por këtë herë Rafa Nadal gjeti ritmin dhe mundi britanikun Daniel Evans. Spanjolli ka kaluar në 1/8-at e “Masters 1000”, pas fitores 7-5 dhe 6-3 të arritur për një orë e 43 minuta lojë. Është një fitore speciale për Rafan, i cili ka arritur në kuotën e 400 fitoreve në turnetë e kategorisë 1000.

Ai ka zgjatur gjithashtu serinë e fitoreve radhazi që nga fillimi i sezonit, falë sukseseve në turnetë e Melburnit, Australian Open dhe Akapulkos. Në turin tjerër numri 4 i renditjes botërore do të ndeshet me fituesin e çiftit Opelka-Shapovalov.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë