Teater

‘Elektroshok’ në Teatrin Eksperimental, si sillet një artist kur i hiqet liria?

Nga Gazeta Si - Një grup të rinjsh që nuk e kanë jetuar diktaturën e egër komuniste në Shqipëri, kanë ngjizur energjitë e tyre duke sjellë në skenën e Teatrit Eksperimental, pikërisht këtë realitet të hidhur.

“Elektroshok”, vepër nga Tobias Xhaxhiu dhe me regji nga Sara Smaja do të vijë edhe mbrëmjen e sotme në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Përmes këndvështrimit të tij bashkëkohor dhe talentit, autori Tobias Xhaxhiu i qaset sistemit totalitar, lirisë artistike dhe përdorimit nga pushteti.

Shfaqja ka në qendër lirinë e artistit dhe se si përdoren ata nga pushteti, i cili në rastin e “Elektroshok” është një regjim totalitar.

“Vepra ka në qendër një dramaturg, i cili që në nisje ka vendosur të vetëvritet për t’u shpëtuar torturave të Shërbimit Sekret, por një ftesë e papritur në rezidencën e Liderit Suprem e shpëton atë në çastin e fundit. Atje ai do të përballet me një vendim që do të vërë në pikëpyetje jo vetëm ndërgjegjen e tij si artist, por edhe vetë fatin e njerëzimit”, shprehet Xhaxhiu për Gazetën “Si”.

Ndër të tjera, ai shton se “mënyra se si është trajtuar në shfaqje regjimi është i papërcaktuar, por njëkohësisht mund të ngjallë asociacione me regjime të ngjashme ndër vite”.

Me pjesëmarrjen e Fiona Rushitit, në role vijnë aktorët e rinj si Aleksandër Mitrollari, Urim Aliaj, Ermir Hoxhaj, Theodhora Dhimo.

Interpretuar nga aktori i ri Aleksandër Mitrollari, “Lideri suprem” na njeh me anët më të errëta të regjimeve absolute, të afta të depërtojnë dhe në ëndrrat e qytetarëve të thjeshtë. Ndërsa interpretimi i aktorit të ri Urim Aliaj na njeh me kufijtë e asaj çka dikush është i aftë të kryejë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin.

Për regjisoren Sara Smaja, “Elektroshok” është një vepër me mesazhe shumë të forta dhe aktuale.

“Unë mendoj se është fiks koha për një vepër të tillë, është koha për t’u dhënë vëmendje rreziqeve politike dhe qëllimi i teatrit në vetvete është t’i bëjë shikuesit të reflektojnë”, shprehet regjisorja Sara Smaja për Gazetën “Si”.

Sipas Smajës, nisma e Ministrisë së Kulturës pëer të mbështetur të rinjtë është “një shtysë shumë e mirë për të rinjtë artistë, sepse më në fund kemi hapësirë të plotë për të shpërfaqur veten”.

Vënia në skenë

“Elektroshok” një vepër që erdhi premierë është prodhim i Fondit të Teatrit për të Rinj, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ministria e Kulturës akordoi një fond për të rinj në vlerën 10 milionë lekë të reja dhe përmes Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, mbështeten regjisorët deri në 35 vjeç. Fondi siç u bë me dije më parë shkon për veprat teatrore, në periudhën e realizmit prill-dhjetor të këtij viti, ku vepra e parë ka qenë ajo me titull “Panik”, që erdhi në skenë në muajin qershor në teatrot në Tiranë. Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, 39 të tilla, ku janë përzgjedhur nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë