Ekspozite

Eldon Luarasi sjell portretin e nënës, artistes Edi Luarasi që u nda nga jeta 2 muaj më parë

Nga Gazeta Si – Portreti i ndjerë i artistes Edi Luarasi që u nda nga jeta dy muaj më parë vjen me një shikim kumtues dhe plot dritë në Galerinë “FAB” nga i biri, piktori Eldon Luarasi.

Në ekspozitën “Rrëfime”, portretit të aktores i bashkëngjiten edhe portrete të tjera, nudo, peizazhe, të cilat nëpërmjet penelave të tij duket sikur janë të gjallë, jehojnë e flasin.

“Rrëfimet” piktori i ka shpërfaqur në tri dimensione dhe ambiente. Vendin më të madh e zënë portretet, pastaj një ambient me nudo, të cilat vetë ai i cilëson të rrezikshme dhe më tej është një ambient i tretë i fokusuar më shumë te pikturat simbolike, objekte dhe 2 peizazhe.

Në 33 pikturat në vaj e 2 në akrilik realizuar gjatë 7 viteve të fundit, si element kryesor ai sjell qenien njerëzore duke nxjerrë në pah anën e padukshme, e ku ai fton publikun që të ndërtojë bashkëbisedim me veprën e tij.

Nëpërmjet eksperimentimit me mediumin e vajit, piktori Eldon Luarasi shprehet për Gazetasi.al se në këtë ekspozitë i është dedikuar hulumtimit të qenies njerëzore përmes një gjuhe realiste, por në të njëjtën kohë dhe duke nxjerrë në pah të fshehtat që çdo qenie përmban brenda skutave të shpirtit njerëzor. Portretet që ai ka sjellë kanë një marrëdhënie të afërt me të.

“Rrëfime’ vjen si rrjedhojë e karakteristikave të pikturave të mia që janë piktura të bazuara mbi figurën njerëzore. Shumica e pikturave janë portrete dhe me këta njerëz unë kam një marrëdhënie të afërt, intime, i flasim njëri-tjetrit. Janë rrëfime ndoshta të heshtura që subjektet në fjalë më bëjnë mua dhe rrëfime që u bëj dhe unë atyre, prandaj si rrjedhojë e këtij raporti që unë kam me këta njerëz ka edhe rrëfime midis nesh”, shprehet piktori për Gazetasi.al.

Në punët që ka sjellë në këtë ekspozitë, ai është munduar që së bashku me kuratorin Genc Përmeti, të mbajë një linjë, atë të hulumtimit.  

Përpos portreteve që ai ka një marrëdhënie të afërt, edhe objektet personale vijnë si një dëshmi e përjetimeve fëminore.

“Portretet, objektet personale si dhe dhomëza e nudove, kanë si emërues të përbashkët gjendjen, që prevalon ndaj dukjes”.

Për portretet që ka të ekspozuara, ai ka një ndjeshmëri më të lartë për portretin e mamasë së tij, aktores Edi Luarasi. Për të është një portret shumë shprehës.

“Portretin e mamasë e dua shumë, sepse sigurisht mamaja është njeriu më i dashur. Vitin e fundit e kam parë kur ajo ishte mjaft e rënduar nga pikëpamja e shëndetit. Megjithatë është një portret shumë shprehës, tregon pak a shumë edhe atë eksperiencën e saj në jetë, tregon vështirësitë që ka kaluar në jetë por dhe dashurinë për botën, për fëmijët e saj”, vijon më tej për Gazetasi.al Luarasi.

Duke i cilësuar mesazhet e artit që përcjell të shumëfishta, Luarasi thotë se emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre punëve është marrëdhënia ndërpersonale me ta.

“Unë kam marrëdhënie interpersonale me njerëzit. Më pëlqen hulumtimi i natyrës njerëzore, psikologjia e njerëzve, dhe jam munduar të nxjerr në pah edhe bukurinë e tyre, bukurinë shpirtërore, bukurinë fizike”, vijon më tej ai për Gazetasi.al.

Piktori ka jetuar dhe ekspozuar për një kohë të gjatë jashtë vendit. Eldon Luarasit, djalit të dy artistëve Mihal e Edi Luarasi, ju deshën jo pak, por tri dekada që të hapte ekspozitën e parë në Tiranë, pikërisht në galerinë FAB, vendin ku ju mohua e drejta për shkollim në diktaturë, shkak biografia, por ai nuk u tërhoq nga pasioni i tij për pikturën.

Ekspozitat personale të Luarasit që i paraprijnë “Rrëfimeve” janë “Art Club Grabatella” në Romë në vitin 2007, si dhe në vitin 2000 në Mannedorf Congress Center. Po ashtu ai ka ekspozuar në Fiumicino, Sicili etj.

Ekspozita “Rrëfimet”, e kuruar nga Genc Përmeti me tekst të Persida Asllanit, do të jetë e hapur për publikun deri më 10 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë