Gazeta Si - Deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti është paraqitur në SPAK në lidhje me hedhjen e materialit të lëngshëm në Parlament 2 javë më parë gjatë seancës plenare.
Pasi doli nga SPAK, Hoti u shpreh se ishte aty pas një akuze qesharake të policisë së Edi Ramës. “Akuzë qesharake që më ka bërë policia politike e Edi Ramës, SPAK më merr sot në pyetje, ndërsa për dhjetëra padi për miliarda euro që ka bërë PD i duhen vite, - tha Hoti. - Deklarova atë që deklarova dhe në Parlament, është qesharake që shqiptarët të merren me atë që ndodhi në Kuvend. Është e turpshme, shqetësim për çdo shqiptar duhet të jetë masakra e ndodhur në Shkodër. Duhet të shqetësohet si bandat e krimit rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm. Sot drejtësia duhet të shqetësohet si bandat vendosin drejtorët e policisë”,- deklaroi Hoti.
Ngjarja ndodhi në seancën e 17 tetorit, kur Elda Hoti hapi dy shishe që tha se ishin me parfum dhe spërkati disa karrige. Me dyshimin se bëhej fjalë për lëndë djegëse, garda ndërhyri ta neutralizonte.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, njoftoi se do të bëhej padi për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa kryeparlamentarja deklaroi se kishte nuhatur benzinë në sallë.
Demokratja deklaroi pasi doli nga Kuvendi se lënda që derdhi në sallë ishte aromatizues. “Nuk ishte asgjë që mund t’ju rrezikojë jetën, ishte aromatizues, le ta vlerësojë Prokuroria, SPAK se bëri kërcënim ndaj meje dhe kolegëve, kemi një mision dhe misionin tonë për të mbrojtur qytetarët”, tha Hoti për mediat.
Deputetja demokrate dyshohet për veprën penale “shkelje e rregullave mbi lëndët helmuese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.