Politike

Elda Hoti mohon akuzat: S’kam fshehur gjë te dekriminalizimi. Po sulmohem për shkak të mbështetjes që kam

Zëvendësuesja e Mark Markut në listën e Partisë Demokratike të deputetëve të qarkut të Lezhës thotë se po sulmohet për shkak të aktivitetit të saj politik.

Përmes një reagimi në Facebook, Hoti mohon se ka ndryshuar emrin e babait në formularin e dekriminalizimit për të fshehur, sipas akuzuesit Llesh Nikolli të shkuarën e tij kriminale si i dënuar për trafik qeniesh njerëzore.

“Zotit Llesh, që këta e paskan gjet për ta nxjerrë firmëtar, i them ta kanë dhënë informacionin gabim. Unë nuk kam ndryshuar kurrë gjeneralitete, as nuk kam fshehur, se nuk kam asgjë për të fshehur. Kam respektuar me përpikmëri ligjin për dekriminalizimin dhe jam në politikë, për të mbështetur dekriminalizimin e mëtëjshëm të politikës. Zoti Llesh dhe ata që fshihen pas tij nuk janë votuesit e mi. Janë pikërisht ata që i janë trembur emrit tim, në familjen e PD-së dhe në politikë”, deklaron Hoti.

Hoti pretendon se po sulmohet për shkak të mbështetjes që gëzon në elektorat dhe sjell si argument faktin që ishte deputetja më e votua me votë preferenciale në Lezhë.

Ajo thotë se po sulmohet nga “komunistët” dhe premton se do të vazhdojë të japë kontributin e vet në politikë për ta pastruar atë.

“Ata që janë frikësuar nga emri dhe mbiemri im, ju them vazhdoni. Politika duhet të pastrohet nga njerëz si ju, që i keni kthyer partitë dhe pozicionet në parti, si pronë private. Që sulmoni çdo të ri, që vendos të japë kontribut në politikë. Po unë do të vazhdoj të jap kontributin tim, që politika të pastrohet nga “mola” si ju. Të pastrohet nga komunistët dhe ua siguroj që firmëtarët e kësaj deklaratë, kanë lidhje të ngushtë me komunistët”, shprehet ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë