Futboll

Elbasani zyrtarisht në elitë, Superiores i kthehen 2 tituj kampionë! Ngjitet dhe Bylisi

Gazeta Si – Elbasani dhe Bylis janë zyrtarisht pjesë e Superiores së sezonit të ardhshëm. Me fitoret e sotme, këto dy skuadra që kanë dominuar kampionatin, kanë siguruar matematikisht kthimin në elitën e futbollit shqiptar.

Nëse për Bylisin vitet e fundit kanë qenë si një ‘ashensor’, me ngjitje-zbritje ka Superiorja, për Elbasanin është një rikthim i veçantë. Një nga skuadrat me traditë të futbollit shqiptar, fituese e dy titujve kampionë në histori, ka vuajtur për shumë vite, duke kaluar jo pak peripeci.

Me emrin e ri AF Elbasani, për shkak të disa probleme ligjore me të kaluarën, këtë sezon u bë organizimi i duhur pasi u sigurua mbështetja e duhur financiare, ndërsa drejtimi teknik i skuadrës iu besua Nevil Dedes, kampion si lojtar me Elbasanin.

Dhe rezultati nuk vonoi, duke u finalizuar sot me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Elbasani i ka munguar Superiores, pasi është një nga qytetet që mbushin më shumë stadiumin. Mjafton të themi se ka pasur ndeshje me 7 mijë tifozë në stadium edhe në Kategorinë e Parë.

Edhe Bylisi, i drejtuar nga Arjan Bellai, feston sot rikthimin e shpejtë në Superiore pas rënies një vit më parë. Ballshiotët janë brë tashmë ekspertë të Kategorisë së Parë dhe pas një paraqitjeje shumë të mirë, tashmë kanë në dorë ‘biletën’ e Superiores.

Nga Kategoria e Parë në Superiore mund të ngjitet edhe një skuadër e tretë, që del nga faza e ‘play-off’-it dhe në fund bën një ndeshje shtesë me vendin e 8-të të kampionatit elitar. Këtë rrugë të vështirë shpreson të ndjekë Flamurtari i Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë