Gazeta Si – SPAK ka kryer disa kontrolle dhe ka shoqëruar dhjetëra punonjës në pika të ndryshme “Call Center”-ash në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë të dyshuar për mashtrime në bursat online ndaj qytetarëve të ndryshëm.
Kontrollet vijnë si rezultat i një hetimi të SPAK për mashtrimet me “Call Center”-a të nisura pas kërkesës së autoriteteve të huaja nëpërmjet letër-porosive.
Operacioni nisi nga Elbasani, ku forca të shumta të policisë spanjolle dhe të Forcave Shqiponja kanë mësyrë në një qendër tregtare në këtë qytet, ku ndodhej një ‘Call Center’.
Paraprakisht mësohet në rrugë jo zyrtare, se policia po grumbullon prova në zyrat që janë identifikuar nëpërmjet IP-ve dhe veprimet e tjera u kryen në Drejtorinë Vendore të qytetit.
Edhe në Vlorë, në drejtimin e SPAK, u shoqëruan disa punonjës të cilët u morën në pyetje nga hetuesit e BKH.
Ky është operacioni i 3 i Prokurorisë së Posaçme që lidhet me aktivitetin mashtrues të “Call Center”-ave në vendin tonë.
SPAK prej disa muajsh është duke kryer hetime në dosje të ndara për letër-porosi të dërguara nga Gjermania, Italia dhe Spanja, të cilat raportojnë një numër të madh të qytetarëve të tyre të mashtruar për investime në bursa fiktive apo edhe në kriptomonedha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.