Futboll

“El Clasico”, më shumë se një ndeshje…

Një “El Clasico” nuk fillon me fërshëllimën e gjyqtarit dhe as mbaron me 90 minuta! Ajo është e përjetshme dhe stadiumet janë shumë të vogla për ta mbajtur atë brenda mureve të tyre.

“El Clasico” është gjithçka! Është një ndeshje ku përzihet sporti me tensionet politike e sociale mes dy rajoneve kryesore të Spanjës, Kastijës madrilene dhe Katalonjës së Barcelonës.

Për katalanasit fitorja është një formë “hakmarrjeje” ndaj “pushtuesit”, ndërsa për madrilenët mposhtja e Barcelonës është një detyrë, për të afirmuar “hegjemoninë” dhe treguar se kush vendos në Spanjë.

El Clasico, ku përplaset futbolli me politikën

Përplasja e kësaj fundjave nuk është e para që mbërrin pas referendumit të pavarësisë të zhvilluar vitin e kaluar, por tensioni mbetet i njëjtë. Slogani “Më shumë se një skuadër!”, i Barcelonës buron nga ndjenja që kanë shumë tifozë të Barcelonës, për identitetin e tyre, identitetin katalanas, ndërsa në anën tjetër, kemi Realin, fansat e të cilit janë më shumë konservatorë dhe me doza më të forta nacionalizmi”, thotë për AFP, Pablo Simon, studiues i shkencave politike.

Esteladas vs Viva Espana

Esteladas është flamuri jozyrtar i Katalonjës, i rajonit që mbajti një referendum për shkëputjen nga Spanja. Simbolizon ambicien, ndoshta jo të shumicës për një shtet të pavarur, por e sigurtë është që nën ngjyrat e tij mblidhet pjesa dërrmuese e qytetarëve të rajonit. Në Camp Nou, sa herë që në fushë zbret Reali, në minutën e 17-të i gjithë stadiumi oshëtin nga thirrjet për pavarësi, duke përkujtuar rënien e Katalonjës nën kontrollin e Spanjës në vitin 1714.

Në Bernabeu, në anën tjetër, sa herë që në fushë zbret Barcelona, stadiumi mbushet me flamurin zyrtar të Spanjës dhe thirrjet “Viva Espana”.

Pavarësia bashkon tifozeritë

Nëse Katalonja do të fitojë pavarësinë, atëherë do të pushonte El Classico. Një event të tillë spotiv dhe ndjesinë e “hakmarrjes” në rastet e fitoreve, shumë katalanas nuk duan ta sakrifikojnë për pavarësinë. Në Madrid i tremben të njëjtës gjë dhe tifozët iu kundërvunë Presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, kur paralajmëroi Barcelonën se në rast pavarësie, nuk do të luante më në La Liga. Tifozët e Realit, megjithëse nuk e mbështesin pavarësinë, në një rast eventual kërkojnë që në futboll, Barcelona të vazhdojë të jetë pjesë e kampionatit spanjoll.

As Presidentët e klubeve nuk duan të heqin dorë nga “El Classico”

“Dua t’u them të gjithëve se synimi ynë është që Barcelona të vazhdojë të jetë pjesë e La Ligas”, deklaronte presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu në muajin tetor, në ato ditë të vrullshme kur në Katalonjë sapo ishte mbajtur një referendum që i tha po shkëputjes nga Spanja. “Unë s’e imagjinoj dot La Ligan pa Barcelonën dhe as Spanjën pa Katalonjën”, deklaronte nga ana tjetër Florentino Perez i Realit.

Bordi i drejtuesve të Barcelonës u përpoq të mbrojë institucionet vendore katalanase në momentin e ndërhyrjes së qeverisë qendrore të Madridit, por asnjëherë nuk doli hapur pavarësisë. Si shenjë proteste ndaj dhunës së policisë, Barcelona luajti pa tifozë ndeshjen ndaj Las Palmasit më 1 tetor, kur zhvillohej edhe referendumi.

Ka edhe nga ata që kërkojnë një rrugë të mesme. Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është pro pavarësisë, por kundër shkëputjes së Barcelonës nga La Liga. “Askush në Katalonjë nuk do që ta humbasë një ndeshje të tillë, me gjithë kontradiktat politike dhe sociale që ekzistojnë mes dy rajoneve”, deklaronte ai.

Ndeshja më popullore në planet

Dy skuadrat kanë në gjirin e tyre dy yjet më të mëdhenj të futbollit të luajtur, e ndoshta ndër më të mëdhenjtë të historisë. Sfida mes Messit dhe Ronaldos, me nga pesë topa të artë secili mbetet një sfidë më vete. “Ndeshja që paralizon jetën në Spanjë”, hapej dikur një gazeta spanjolle në versionin e saj print. Sot nuk paralizon vetëm Spanjën, sot paralizon gjithë botën. Është eventi më i ndjekur në histori nga televizori.

3 Most Common Fraudulent Drugs


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë