Futboll

“El Clasico” i parë pa Mesin dhe Ronaldon nga 2007-a, si ishte bota në atë kohë!

Është pamohueshme që sfida mes Realit Madridit dhe Barcelonës, apo “El Clasico” siç e njohin të gjithë, e ka humbur hijeshinë e saj. Për herë të parë që nga viti 2007 kjo ndeshje do të jetë sot pa Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Mungesa e portugezit ishte e paevitueshme, ndërsa ajo e “Pleshtit” nuk ishte marrë në konsideratë, pasi raporti i tij me Barcelonën u rregullua në verën e 2020-ës.

Ajo mes Real Madridit dhe Barcelonës nuk është prej tre vjetësh sfida mes dy lojtarëve më të mirë në botë. Pas Ronaldos, tani edhe Mesi nuk do ta luajë më. Hera e fundit kur asnjë nga të dy nuk ishte në fushë daton më 23 dhjetor 2007, dy ditë para Krishtlindjeve. Julio Baptista i dhuroi Real Madridit fitoren. Që atëherë futbolli ka ndryshuar. Shumë madje. Por si ishte në atë kohë?

Baptista shenon golin e fitores per Realin ne 2007-en. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Në 2007-ën Ronaldo konsiderohej një lojtar shumë i mirë dhe Mesi i destinuar të ecte në gjurmët e Maradonës. Por “Topin e Artë” e fitonte Kaka, futbollisti brazilian që kishte udhëhequr Milanin drejt fitimit të Ligës së Kampionëve si protagonist absolut. Më pas do të vishte edhe fanellën e Real Madridit, por nuk pati shumë sukses.

Në Europë ishte dikush që po hapte një cikël të jashtëzakonshëm. Një skuadër spanjolle, që deri atëherë nuk kishte fituar shumë, triumfoi në Ligën e Europës. Ishte Sevilja që bëri bis fitoresh, pas atij të vitit paraardhës ndaj Espanjolit. Ky kompeticion u bë një territor i preferuar për Seviljen, që do ta fitonte edhe katër herë të tjera.

Ai që e udhëhoqi Seviljen drejt sukseseve në Europë ishte Emeri, që në sezonin 2006/2007 ishte ende një trajner emergjence. Ish-trajneri i Arsenalit, aktualisht te Vilarreali, fitoi kampionatin e parë në Serinë B spanjolle, duke e kthyer Almerian në futbollin e madh. Aty nisi ngjitja e tij drejt majave të futbollit europian.

Guardiola kur drejtonte ekipet e akademise se Barcelones. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Jo vetëm Emeri. Në 2006/2007-ën ishte edhe një tjetër trajner i ri premtues. Quhet Pep Guardiola dhe në atë kohë hidhte hapat e parë si trajner në akademinë e Barcelonës. Rezultatet ishin të jashtëzakonshme me një skuadër që kishte në përbërje edhe Pedro dhe Buskets. Një skuadër me një modul loje që transferua më pas me shumë sukses edhe te të rriturit.

Në ato kohë ndryshoi edhe filozofia e Atletiko Madridit, që vendosi të investojë fuqishëm për një ekip kompetitiv në arenën ndërkombëtare. Klubi afroi lojtarë si Forlan, Simao, Rejes dhe Diego Kosta, i cili fillimisht u huazua te Selta Vigo, që në atë kohë luante në Serinë B.

Sezoni 2006/2007 ishte edhe agimi i ciklit të madh të kombëtares spanjolle. Një formacion historik, që nisi një rrugëtim të paharrueshëm dhe që vështirë se mund të përsëritet. Spanja ishte në vazon e tretë në shortin e grupeve të “Austri dhe Zvicër 2008”, kur u ngjit në majë të Europës dhe më pas fitoi Botërorin e 2010-ës. Po ashtu, fitoi sërish Europianin në Ukrainë.

Spanja, kampione Europe ne 2008-en. Gazeta Si, 24 tetor 2021

Po në pjesën tjetër të Europës? “Bomberët” ishin të tjerë. Luka Toni shpallej kampion me Bajernin në Bundesligë. Interi fitonte titullin në javën e fundit të kampionatit falë Ibrahimoviçit. Ronaldo braziliani ishte para Torresit në klasifikimin e shënuesve më të mirë në Spanjë, por “bomberi” i La Ligës ishte Guiza i Majorkës. Kurse një farë Fabregas, me fanellën e Arsenalit, shpallej lojtari më i mirë i ri në Angli.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë