Nga Albana Lufi* – Ekzema është sëmundja më e shpeshtë inflamatore e lëkurës që prek çdo moshë, profesion dhe shfaqet në lëkurë të predispozuar e të ndjeshme alergjike, me shenja të ndryshme klinike, si rezultat i veprimit të irrituesve të jashtëm e të brendshme, duke vepruar në mënyrë të veçuar ose të kombinuar.
Ekzema klasifikohet në dy grupe të mëdha:
Ekzema exogjene ose ekzema e shkaktuar nga faktorë të jashtëm dhe ekzema endogjene ose ekzema e shkaktuar nga faktorë të brendshëm. Për secilin nga këto dy tipe ekzistojnë, forma të ndryshme të ekzemave por ne do të ndalemi kryesisht në ekzemën exogjene.
Dallojmë tre forma të ekzemës exogjene:
- Dermatite(ose ekzema) nga irrituesit fizik apo kimik.
- Dermatiti alergjik i kontaktit.
- Dermatiti infektiv(përgjigje e lekurës nga kontakte me mikroorganizma).
Ekzema ose dermatiti nga irrituesit fizik apo kimik shkaktohet nga veprimi direkt i faktorëve të ndryshëm kimike, fizike etj. Në varësi të faktorëve veprues dallojmë:
-Dermatit irritativ nga lëndët kimike: acidet, bazat, tretesirat organike, nafta, konservuesit e ndryshëm, shampot, bojrat etj. Ky dermatit irritativ mund të jete akut dhe kronik. Dermatit irritativ akut shkaktohet nga veprimi i lendeve kimike si rezultat i aksidenteve në punë duke dhënë djegie kimike, ulçeracione,ndërsa dermatit irritativ kronik shkaktohet si rezultat i veprimit të përsëritur të lëndëve kimike nga shumimi i veprimit dëmtues të tyre.
Klinika ose shenjat që shfaqen në lëkurë janë të ndryshme në varësi të lëndëve të ndryshme kimike si p.sh tharje e theksuar e lëkurës, ose plasaritjet nga detergjentet; folikulite (të shkaktuara kryesisht nga nafta dhe nën produktet e saj) dhe hiperkeratoze (trashje e lëkurës e mbuluar me tharje lëkurës të trasha) me të çara në pëllëmbët e duarve.
-Dermatit nga veprimi i faktorëve mekanike(kallo,hiperkeratoza)
-Dermatit nga veprimi i faktorëve fizike(nga tempetarurat e larta apo të ulta):ngrirjet dhe djegiet
-Dermatitet e shkaktuara nga dielli(fotodermatozat) kryesisht në fyryrë, qafë, krahë pra kryesisht në pjesët e ekspozuara ne diell.
-Radiodermatitet.
Shenjat klinike shfaqen kryesisht në ato pjesë të lëkurës që janë në kontakt me faktorët kimike apo fizike, por mund të shoqërohen dhe me alergjizim të përgjithshëm të trupit.
Dermatiti alergjik i kontaktit është sëmundje inflamatore e lëkurës e shkaktuar nga lëndët sensibilizuese alergjizuese që bien në kontakt me të.
Shenjat klinike në stadin akut fillon me një skuqje dhe ënjtje(edeme). Mundet që dermatiti në këtë stad të dhe të shërohet me deskuamim. Me zgjatjen e veprimit dëmtues formohen puçrra me madhësi të ndryshme që mund të bashkohen në forme pllake. Në vazhdim kemi puçrra me ujë të pa infektuar që më vonë mund të infektohet, të pasuara koret. Fazat kalojnë shumë shpejt nga njëra tek tjetra dhe shpesh herë kemi një kuadër polimorf.
Në stadin kronik krahas skuqjes vihet re trashje e lëkurës, hiperkeratoze, herë pas here vihet re pigmentim i lëkurës dhe kruaja është shqetësues.
Mjekimi kryet në varësi të formës klinike: Në format e lehta(skuqje,enjtje) dhe kur përmasat e shtrirjes janë të vogla, pomadat me kortizonike dhe antihistaminiket për të qetësuar pruritin janë të mjaftueshme. Në format e avancuara përveç medikamenteve të përmendura me sipër rekomandohen edhe kortizoniket sistemike, antibiotiket sistemike nëse ka vatra të infektuara, antiseptiket lokale.
Largimi i lëndës algjerizuese (nëse është i mundur) luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin dhe mos përsëritjen e ekzemës ose dermatitit. Një rol të rëndësishëm në përcaktimin e faktorit alergjizues japin dhe provat alergjike të lëkurës .
Në ekzemat e shkaktuara nga detergjentët, këshillohet përdorimi i dorezave dhe hidratimi i herëpashershëm i duarve. Të njëjtën gjë këshillojmë për punëtoret e ndërtimit, për vajzat e reja që punojnë në fabrikat e këpucëve apo për çdo profesion tjetër që ka kontakt me lende kimike. Në rastet që ekzemat përsëriten mjaft shpesh dhe bëhen problematike për të sëmurin, pasi kemi arritur të zbulojmë me anë të provave alergjike të lëkurës se faktori alergjizues është i lidhur me punën, shpeshherë këshillojmë ndryshimin e vendit të punës.
*Albana Lufi, Doktoreshë Shkencash në Dermatologji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.