Gazeta Si – Trajneri i Interit, Simone Inzagi, e ka mundur Juventusin në 4 finale. Ish-trajneri i Lacios tani kërkon edhe parakalimin në sprintin final të kampionatit ndaj Milanit.
Simone Inzagi mund të quhet ndryshe ‘xhelati’ i Juventusit. Në Torino nuk duan ta shohin më, as të pikturuar, pasi i ka goditur sërish. Trajneri i Interit ka fituar Kupën e Italisë pas një mbrëmjeje të lodhshme, por të lumtur, si në finalet e tjera ndaj Juventusit.

Inzagi ka triumfuar ndaj bardhezinjve në Kupë dy herë kur drejtonte Lacion, si dhe në Superkupën e këtij sezoni me Interin. Askush si ai. Dhe nuk ka përfunduar ende. Inzagi dhe Interi mund të bëjnë tripletë trofesh këtë sezon, pasi janë ën garë edhe për titullin kampion.
Inter është agresiv dhe shumë i motivuar. Ndoshta me pak probleme në mbrojtje, por shumë i rrezikshëm në 25 metrat e fundit. Tani sa vjen dhe shtohet tensioni i titullit, kjo është e qartë, por në “Olimpico” Inzagi dhe Interi dhanë sinjale të qarta.
Nëse Milani do ta fitojë titullin, nuk duhet të gabojë në asnjë nga dy ndeshjet e mbetura. Sepse Interi i finales së Kupës së Italisë nuk do të gabojë.
Brenda fitores së tretë në 4 ndeshje ndaj Juventusit këtë sezon është edhe sinteza e vitit zikaltër. Ka organizim loje, dinamizëm, luftë sportive dhe aftësi për të pastruar topat e ‘pistë’. Inzagi ofron manovra dhe vertikalizime, nga qendra me Brozoviç, Çalhanoglu dhe Barela, në krahë te gjiganti Perisiç.

Në Kaljari Inzagi do të provojë të fitojë një finale ndryshe, por që mbetet një finale. Zikaltrit kanë një dëshirë të çmendur për të çuar çështjen e titullit kampion në javën e fundit të Serisë A, në gongun final.
Sido që të shkojë çështja e titullit, bilanci për Interin është pozitiv. Jo vetëm për dy trofetë e fituar, por më shumë për rritjen e një skuadre, që edhe në Champions ishte në gjendje të luante si e barabartë me Realin dhe Liverpulin. Dhe këtu Inzagi ka meritat e veta.
I kritikuar shpesh, ose i parë me dyshim, Simone Inzagi ka treguar qartë se e ka përmirësuar këtë skuadër. Edhe pse u larguan lojtarë shumë të rëndësishëm, si Lukaku dhe Hakimi, ai ia doli.
Ia doli të mbajë edhe peshën e pasuesit të Antonio Kontes. Ai po i bën tifozët e Interit të festojnë jo pak. Pasi ka ekzekutuar sërish Juventusin, ai ëndërron tripletën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




