Gazeta Si - Një 50-vjeçar i identifikuar si Alfred Dedja u ekzekutua me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Ndroq të Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal të zonës.
Dedja me origjinë nga Burreli, ndodhej në ambientet e lokalit kur autori i dyshuar, i identifikuar si Julian Gjoshi nga Shijaku, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje.
Më pas, autori u largua nga vendngjarja me një makinë (Benz të zi, ML). Gjoshi, në janar të vitit 2021 ishte arrestuar në Tiranë, pasi ishte kapur me një pistoletë pa leje, por më pas ka rifituar lirinë.
Mësohet se viktima ndodhej i ulur në lokal me një mikun e tij, njëherazi edhe familjar i pronarit të lokalit. Autori pasi ka hyrë në lokal ka shkuar në tavolinën që ndodhej Alfred Dedja dhe e ka qëlluar atë menjëherë me armë. Pistoletën, autori nuk e ka nxjerrë në asnjë moment nga xhepi dhe ka qëlluar nga xhepi i xhupit.
Pista e parë për hetuesit është prishja e pazareve të drogës mes viktimës dhe autorit, të cilët kanë pasur njohje mes tyre.
Viktima mësohet se ishte banor i zonës. Ndërsa sa i përket autorit të dyshuar të ngjarjes ai rezulton person me precedentë penalë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.
Kunati i Altin Hajrit (dhe lidhja me ish-deputetin)
Gjoshi rezulton se është njëkohësisht edhe kunati i Altin Hajrit (vëllai i gruas së Hajrit), pronarit të kompleksit "Golden" në Shijak, i kërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar 2020 në Kamëz dhe lidhje e afërt gjithashtu me deputetin e arrestuar, Jurgis Çyrbja, i cili i jepte sekrete hetimore që të mos arrestohej gjatë kohës që ishte në kërkim.
Julian Gjoshi është arrestuar në janar të vitit 2021 në Tiranë, pasi është kapur me armë zjarri pa leje. Policia i gjeti atij në makinë një pistoletë tip “Beretta” dhe 10 fishekë. Ai është përsëritës në këtë krim, pasi edhe më herët ishte dënuar për armëmbajtje pa leje.
Emri i Julian Gjoshit ka dalë në aplikacionin e koduar “SKY ECC”, kur Altin Hajri diskutonte me ish-deputetin Jurgis Çyrbja për arrestimin e tij në vitin 2021 në Tiranë.
Gjoshi ishte dënuar në 23 dhjetor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit dhe municionit” dhe “Drejtimin e mjetit në gjendje të dehur”.
Edhe në këtë rast, Hajri ofronte para që pistoleta që kishte kunati i tij me vete të konsiderohej "e paaftë" për qitje. Çelësi për ndryshimin e akuzës ishte testi balistik që do të bënte Policia e Shtetit.
Pista hetimore
Viktima dhe autori dyshohet se kanë pasur njohje mes tyre. Dedja në momentin kur u sulmua, ndodhej i ulur në një prej tavolinave afër xhamit të lokalit. Viktima jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë, por sipas burimeve paraprake, konflikti mes tyre dyshohet të ketë ndodhur për prishje të pazareve të drogës.
Ajo që dihet për viktimën është se është një person i skeduar për vjedhje dhe trafik droge, i prangosur në vitin 2017 gjatë një operacioni policor në Mat.
“Më datë 01.12.2024, rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç. Autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar“, tha policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.
Në vendin e ngjarjes ndodhet policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e saj e vrasjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.