Gazeta Si – Një 44-vjeçar shqiptar është ekzekutuar në SHBA të dielën në një restorant në Commerce Township të Michigan-it.
Viktima është identifikuar si Francesk Shkambi, 44 vjeç, menaxher i lokalit, i cili u gjet i plagosur rëndë në verandën e restorantit, pasi kishte dalë jashtë, teksa bënte një telefonatë.
Ai rezulton të jetë kushëri me Elvis Shkambin, të riun e arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor, brenda sallës së gjyqit në Tiranë.
Sipas medive amerikane, 44-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët konstatuan vdekjen e tij pak më vonë.

Autori i dyshuar i vrasjes është identifikuar si Tonin Pjetri, 65-vjeç, gjithashtu shqiptar, u vetëdorëzua rreth 20 minuta pas krimit, ndërsa u gjet pistoleta me të cilën u krye vrasja, rezulton se ishte raportuar e vjedhur.
Hetuesit sekuestruan një armë 9 mm të vjedhur më herët, e cila dyshohet se u përdor në vrasje. Sipas sherifit, viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte pasur një konflikt, që u përshkallëzua deri në vrasje.
Stafi dhe pronari i restorantit u shfaqën të tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar Shkambin si një njeri zemërmirë dhe të përkushtuar.

Ata thanë se ai i kishte ndihmuar të ringriheshin në momentet më të vështira dhe se ishte pjesëtar i rëndësishëm i tyre. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë e konfliktit mes tyre, pasi autoritetet nuk kanë dhënë detaje.
Gjithnjë sipas mediave amerikane, pak kohë më parë, Shkambi ishte ndër personat që përfituan falje dhe uljen e dënimeve të firmosura nga presidenti amerikan asokohe, Joe Biden pak para se të linte mandatin.
Ai ishte mes 1500 personave për të cilët Biden nënshkroi falje, ishte edhe Shkambi i dënuar për vepra kriminale të lidhura me narkotikët.

Dokumentet publike tregojnë se Shkambi ishte dënuar në vitin 2014 me 27 vite burg, i akuzuar për drejtimin e një grupi që kontrabandonte lëndë narkotike drejt SHBA-ve. Falja presidenciale për të në dhjetor 2024 ngjalli shumë reagime në mediat amerikane.
Ditë më parë, një tjetër shqiptar i identifikuar si Burim Havolli humbi jetën në SHBA pasi u godit për vdekje nga një grabitës të cilin po mundohej ta ndalonte në pallatin ku viktima punonte si administrator.

Françesk Shkambi ishte personi i cili pak javë më parë ndërmori një iniciativë për hapjen e një llogarie në “GoFundMe” për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre.
Objektivi i llogarisë së hapur ishte për të siguruar të ardhurat që të paguante një avokat për të arrestuarit, ndërsa u grumbulluan mbi 9 mijë dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



