Gazeta Si – Kievi dhe Moska kanë një histori vllazërie të vështirë që daton që në shekullin e 9-të kur dinastia e parë sllave themeloi shtetin e saj të parë në Kievin e sotëm të quajtur Kivan-Rus. Një e shkuar që e përndjek deri më sot fatin e dy fqinjëve më me peshë në botën sllavo-lindore. Madje tashmë pronësia për të shkuarën është kthyer edhe në element gjeopolitik ku arkitekti i Rusisë së re Vladimir Putin i quan rajonet rreth Kievit si Novorasia, duke vendosur kështu në pikëpyetje shtetësinë aktuale.
Prej disa ditësh tensioni në kufijtë mes Ukrainës dhe Rusisë është në maksimum duke ngritur shqetësim si në fqinjët e tjerë por edhe brenda NATO-s. Dilemat janë të shumta, opsionet janë në tavolinë, por mbi të gjitha përpjekjet politike dhe diplomatime për shkurajim që mund të shmangin katastrofën vijojnë ethshëm. Për Rusinë, Ukraina është sfida politike, diplomatike dhe ushtarake më komplese po aq edhe përcaktuese për politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Ajo përcakton raportet; NATO-Rusi, pozicionin e popullsisë ruse të Ukrainës, rajonet e destabilizuara të Dombas dhe Luhansk, Krimea dhe leksioni që Rusia do ti jap fqinjëve të saj. Përtej impaktit në rajon, ajo përcakton autoritetin e Rusisë në skenën globale si një aktor që forcën e armatosur e ka në themel të ushtrimit të ndikimit politiko-diplomatik, marrëdhëniet me BE-në, vendet anëtare të unionit si partner tregëtar, si dhe mundësia për të përfituar objektiva të tjera diplomatike përballë kundërshtarëve të saj. Për Rusinë basti është i lartë dhe kjo lojë që ka filluar këto vitet e fundit do të vazhdoj gjatë.
Për Ukrainën është thellimi i një epoke të errët që tani vendos në pikëpyetje ekzistencën e saj, fatin e popullsisë së saj në një luftë që mund të jetë brutale, si dhe mundësinë për të bërë bashkë një koalicion vlerash që nëse ja del të shpë tojë nga kthetrat e kësaj lufte mund të përcaktojë të ardhmen e saj euro-atlantike.
Rusia e ka të qartë objektivin e saj afatshkurtër; të detyrojë NATO-n dhe perëndimin që të ulen me të në tryeze e tu përcaktoj termat e referncës në raport me angazhimin e NATO-s në lindje. Nga ky objektiv kërkon që të farkëtojë autoritetin e saj si aktor që duhet të merret në konsideratë jo vetem si rezultat i imponimit të këtij roli falë aktivizmit të saj në çdo krizë të viteve të fundit si në Siri, Kaukaz apo në Kirgistan, por ajo kërkon gjithashtu që të fitojë hapësirën e humbur të manovrueshmërisë në ish botën sovjetike.
Objektivi i saj afatgjatë është që Ukraina me çdo kosto të mbetet jashtë NATO-s dhe të shërbejë si zonë tampon dhe e pamundur të veprojë si një entitet i pavarur për fatet e saj. Për këtë objektiv politiko-ushtarak Rusisë i duhet të gjejë balancën mes listës së gjatë të implikimeve ndërkombëtare nëse ekspozohet si agresor, sanksioneve që e presin dhe kostove pafund që mund të prodhojë një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër arritjes me çdo kusht të një stadi të avancuar si aktor përcaktues nëpërmjet ushtrimit të forcës në arenën rajonale dhe globale.
Në pikëpamjen ushtarake një pyetje imediate dominon skenën: a do të futet Rusia ushtarakisht në Ukrainë?
Panorama që vjen nga terreni i forcës është si vijon: Aktualisht Rusia ka grumbulluar dhe pozicionuar në kufijtë e Ukrainës rreth 130 mijë trupa nga 2 armata ose rreth 10-12 divizione të strukturuara në 65-70 batalione taktike mësymëse autonome të përforcuara dhe të mbështetur nga divizione parashutiste dhe specialët e Spetnaz. Në këto rajone janë edhe 27 mijë personel ajror në dispozicion, por në rastin se Rusia do të ndërmerrte një operacion në shkallë të gjere në luftën mësymëse do ti duheshin të pakten 175 mijë trupa (pra edhe 45 mij shtesë) dhe 300 mijë trupa të tjere në prapavijë dhe logjistike për të mbeshtetur dhe rifreskuar frontin. Por këto shifra janë shumë pak në totalin e 325 – 400 mijë trupave që do ti duheshin për të mbajtur të pushtuar të gjithë Ukrainën. Pra nga totalii i 900 mijë trupave aktive Rusisë i duhet të angazhoj gati gjysmën e forcës së saj në rastin se do të ndërhyjë e më pas të mbajë të pushtuar Ukrinën duke ju dashur që të tërheq ushtrinë aktive nga Distriktet e tjera të vendit dhe duke lënë të ekspozuar kufijtë e saj të lindjes, Azisë dhe Kaukazit. Për të mbushur boshllëkun Rusisë mund ti duhet të aktivizojë një pjesë nga totali i 2 milion rezervistëve të saj, por fatura financiare e krijuar mund të kalojë kapacitetet që mund të përballojnë e financat e dorbitura ruse. Dukshëm që Rusia përballë Ukrainës ka dominancë numrash në këtë rreshtim force ku veç forcës tokësore me kompakte të mirëpajisur e sprovuar e amplifikon atë me 3 komponentët e tjerë që i japin superioritet dhe shpejtësi në ekzekutimin e një operacioni mësymës në shkallë të gjerë: si Forcë Ajrore, Forcë Detare, Sistemet Elektronike, për të mos folur për arsenalin taktik bërthamor apo edhe deterrence bërthamore strategjike.
Ukraina ka një ushtri aktive prej 209 mijë trupash dhe aktualisht ka 20 batalione taktike luftuese të certifikuara dhe gati për luftim të mbështetura nga disa regjimente tankesh dhe artilerie të rëndë. Për të forcuar rradhët Ukraina ka ngritur gjatë muajve të fundit dhe 20 batalione të Njesive të Mbrojtjes Territoriale të përbërë me vullnetar civile që do të mbeshtesin operacionet e ushtrisë së rregullt, pa përfshirë këtu edhe 900 mijë rezervistët. Në krahasim me vitin 2014 kur Rusia mori Krimenë, Forcat e Armatosura të Ukrianës në atë kohë kishin vetëm 6 batalione të gatshme, sot janë më të reformuara, mirëpajisura, mirëorganizuara dhe me moral më të lartë. Por ajo ka disa disavantazhe jo të vogla: Në luftën ajrore është pothuaj inekzistente përballë suprrmacisë ruse, ndaj Forca Ajrore ukrainase mund të mbështesë operacione të limituara kryesisht në mbrojtje të qiellit rreth Kievit apo infrastrukturës kritike, por ajo nuk është në gjendje që të mundësojë mbështetjen e Forcës Tokësore në kundërsulm. Si rezultat i një sentimenti prorus në gjysmën lindore të vendit mbi Lumin Dniepër është rreziku i dezertimeve të mundshme në radhët e ushtrisë dhe për rrjedhojë mbajtja e unitetit në radhët e Forcave të Armatosura është një dilemë sfilitëse që do të duket vetëm në terren në rastin e një sulmi frontal masiv.
Cilët janë skenarët e sulmit rus kundër Ukrainës?
Gjasat janë që Rusia të ndërmarr një operacion me faza që do ti mundësonte asaj përgatitjen e terrenit për të legjitimuar ndërhyrjen si ndërkombëtarisht, por edhe nga brenda vendit, menaxhimin e kostove, rritjen e mundësive për sukses dhe pasjen e një harte të qartë rruge për daljen nga Ukraina sa më parë, por me objektiva politik të përmbushura.
Në fazë të parë ajo synon nëpërmjet shërbimeve të ushtrisë si GRU apo FSB që të përgatis një kombinacion kirurgjikal mes luftës hibride kibernetike, dizinformimit, sabotazhit, përhapjes së panikut dhe aktivizimit të rrezistencës lokale në lindje të Ukrainës me popullsinë lokale proruse e cila përben rreth 18% të popullsisë apo rreth 8 nga 44 milion banorët e vendit. Kryengritja e prorusëve për ta destabilizuar nga brenda por me tanket ruse në sfond duket se i jep Rusisë një avantazh absolut pasi krijon terrenin për kundërveprim nga Ukraina dhe Rusia përligj ndërhyrjen në shkallë të gjerë në ndihmë të prorusëve nën sulm. Duke e destabilizuar nga brenda, Rusia do të synojë ta fragmentarizojë në rajone të caktuara të përfshira në kryengritje si aksi Luhansk-Dombas-Mariopol-Krime duke i shkëputur aksesin Ukrainës në Detin Azov. Ky skenar që është potencialisht dhe më i mundshmi është dhe shqetësimi më i madh i lënë për të kuptuar edhe nga konferenca për shtyp e Presidentit Zhelenski dje në Kiev, madje për të shmangur këtë skenar SHBA dhe NATO janë treguar shumë aktiv në demaskimin e planeve ruse për inkursion dhe ta pozicionojnë qartë Rusinë si agresor. Aktualisht pozicionimi i trupave ruse në kufi i shkon me shumë këtij skenari, pasi ato janë aty si forcë demotivuese për ushtrinë Ukrainase dhe forcë motivuese për protusët, në kushtet e mos marrjes dot të një vendimi të shpejtë nga Kremlini për aksion ushtarak.
Në fazë të dytë inkursioni mund të përfshijë potencialisht dhe aksin Krime – Odesa duke paralizuar totalisht aksesin e Ukrainës në Detin e Zi duke sjell një katastrofë ekonomike dhe shkëputjen e rrugëve të furnizimit detar nga aleatët e saj me materialet e nevojshme për rrezistencë. Bashkimi i dy akseve do të ndërtonte një brez të gjerë territorial nën kontrollin rus në një zonë e cila që prej vitit 2014 është pjesërisht jashtë kontrollit të Ukrainës ose totalisht jashtë saj. Kjo do ta kthente Ukrainën në shtet të fragmentarizuar, të pamundur për të rimarrë territorin e humbur si dhe do të sillte disfunkaionalitetin e saj si aktor i pavarur në vendimmarrje, dhe me këtë Rusia mund të përmbushte objektivin e saj politik atë të mos avancimit të mëtejshëm të Ukrainës në NATO.
Në fazë të tretë që është dhe më e avancuara Rusia mund të synojë të përshkallëzojë inkursionin me goditjen e infrakstrukturës kritike të vendit për të çuar në paralizë totale mundësitë e Ukrainës për kundërsulm për të rimarr dy akset e para të vendosura nën kontroll. Kjo goditje mund të hap rrugën për pushtimin masiv tokësor të cilin edhe vetë Rusia nuk është e interesuar pasi gjasat janë që pushtimi të marr trajtën e një guerrile urbane të përgjakshme. Në këtë skenar Rusia do të synojë të rrisë forcën goditëse nga ajri dhe të avancojë shpejtë nē zona të hapura kryesisht në lindje të Kievit por duke shmangur sa më gjatë futjen në qytete. Kushtet klimaterike janë esenciale për sukses në shpejtësi pasi Rusisë do ti leverdiste periudha e ngricave me temperature mbi -15 gradë në mënyrë që tanket të levizin shpejt, një skenar ky i njohur për rusët që nga bllokada e Leningradit. Ukraina nga ana tjetër do të përpiqet që ta zbresë luftën nga ajri në tokë e ta fusë ushtrinë ruse në hinkën e luftës urbane duke rritur kështu forcën e tyre goditëse, ngadalësuar avancimin e mjeteve të blinduara me armatim kundërtank, mbajtur linjat e fronit në luftë mbrojtëse konvencionale dhe rritjen e kostos njerëzore në përplasje për rusët. Thënë ndryshe Ukraina do të përpiqet ta fusë Rusinë të përjetojë atë lloj lufte që gjenerali sovjetik Chuikov u rezervoi gjermanëve në betejën e Stalingradit, ku furia e panzerave gjerman u ndal në kthinat e qytetit.
Ukraina është një sipërfaqe tepër e madhe për ta mbajtur të pushtuar të gjithën ndaj dhe Rusia e di mirë se është e kollajtë të nisësh një sulm, por shumë e vështirë të ndërtosh rrugën e daljes prej tij. Është në interesin strategjik të Rusisë që nga kjo krizë të mund të përfitojë diplomatikisht në raport me perëndimin dhe NATO-n, ku në interesin e saj parësor është rinovimi i traktatit të kontrollit të armëve bërthamore, marrja e sigurisë për mos avancim të NATO-s drejt lindjes ose më saktë në dyert e Rusisë, riaktivizim të Këshillit NATO-Rusi dhe lejimit të ushtrimit të influencës ruse në hiterlandin e saj natyral të ish territoreve sovjetike që nuk janë ende pjesë e NATO-s dhe BE-së. Nëse asnjë nga kërkesat ruse nuk do të përmbushen, perëndimi duhet të përgatitet për një konflikt aktiv në kufijtë lindor të Evropës dhe me partner të gjynjëzuar më tej si Gjerogjia dhe Ukraina, Moldavia në një të ardhme jo të largët, dhe ne Balltikët që për monentin kanë mundur ta mbajnë nën kontroll veprimtarinë subversive të popullsive të tyre proruse prej prezencës shkurajuese të grup-batalioneve të NATO-s në këto vende. Deri atëherë skenat e mobilizimit aktiv të ushtrisë ruse do të jenë gjithnjë e me prezente, nga ana tjetër agjenda e zhvillimeve në Ukrainë do të mbahet e kyçur si kolateral i përplasjes Rusi-SHBA, NATO, BE në këmbim të një konçensioni që kënaq interesat ruse.
Shënim: Kjo analizë u shkrua për Gazeta Si. Autori është njohës i politikës së jashtme dhe të sigurisë, por për arsye të angazhimit të tij nuk dëshiron që të vendosë emrin në botim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




