Ka ndodhur

Ekstradohet nga Kroacia 55-vjeçari, akuzohet se i shkaktoi shtetit 366 milionë lekë dëm ekonomik

Gazeta Si – Një 55 vjeçar i identifikuar si Emin Shabani është ekstraduar sot nga Kroacia pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nën dyshimin e përfshirjes në një grup kriminal që kishte kontrabanduar cigare drejt shteteve të Bashkimit Europian.

Bëhet fjalë për një dëm të konsiderushëm ekonomik deri në 366 milionë lekë të reja dëm shtetit, nëpërmjet kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.

Për Shabanin, Gjykata e Posaçme më 27 maj të këtij viti ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

55 vjeçari i lindur në Maqedoninë e Veriut akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë duke vepruar si organizatë kriminale kanë kontrabanduar cigare për të cilat paguhet akcizë.

Duke e shmangur këtë pagesë, ata i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 366 milionë lekësh të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë