Drejtësia

Ekstradohet nga Italia Bujar Shega, anëtari i grupit kriminal të Suel Çelës

Gazeta Si – Bujar Shega, i cili është pjesë e grupit kriminal të Suel Çelës, është ekstraduar këtë të enjte nga Italia drejt autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

Në njoftimin e policisë, thuhet se 52-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas SPAK, Bujar Shega ishte një nga anëtarët me rol kyç në grupin e Suel Çelës, pasi ishte i angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Gjykata e Posaçme e akuzon për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Shega dyshohet se pastronte paratë e grupit të Suel Çelës përmes dy kompanive të tij të pastrimit në qytetin Elbasan.

Ndërkohë, SPAK e akuzon Suel Çelën për porositjen e dy atentateve, detaje që janë zbuluar në dosjen “Plumbi i artë”.

Nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, prokuroria mësoi se Suel Çela ishte organizatori i dy atentateve të dështuara, atë ndaj Elton Kikisë dhe Lulzim Mashës.

Ndaj 36-vjeçarit ka dhe një tjetër masë “arrest në burg”, në kuadër të aksionit që u zhvillua në fund të nëntorit 2024.

Përmes zbërthimit të aplikacionit “Sky Ecc”, rezultoi se Suel Cela kishte lidhje me njerëz të drejtësisë dhe të policisë, si ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu apo ish-shefi i Krimeve në Komisariatin nr.6, Dedan Gjoni.

Ai ndikonte për t’i lehtësuar masën e sigurisë anëtarëve të grupit kriminal që drejtonte. Çela akuzohet se drejtonte edhe grupin e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Bashkimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë