Ekspozite

Ekspozita e punëve të pambaruara

Duke vizatuar në ajër, me asgjë tjetër veç një drite që i bindet, në vallëzim, koreografisë së gishtërinjve, Pablo Picasso mirëpret vizitorët e Galerisë “Fab”.
E mbërthyer nga mjeshtri shqiptar i fotografisë, Gjon Mili, duket ende e papërfunduar, në jugun e Francës, në vitin 1949, piktori i famshëm duket sikur është ende në proces, të asaj vepre që vizatohet në ajër…Kjo e ngacmoi edhe kuratorin Ilir Kaso, që nisur nga kjo seri fotografish, të dilte me një ide për ekspozitën, e çelur pasditen e 26 nëntorit.

“Nisur nga kjo fotografi, përzgjedh fjalën “proces” si fjalëkyç, për të kuruar të gjithë aktivitetin kulturor, duke menduar se procesi krijues është element thelbësor në veprimtarinë artistike të secilit prej nesh”, rrëfen Kaso, ndërsa propozimi që u bëri kolegëve artist u mirëprit në këtë veprimtari, që siç thekson më tej ai, është jo vetëm krijimtari artistike, por edhe hulumtim shkencor. “Jam i sigurt që kjo temë nuk do të pengojë në krijimtarinë e asnjërit prej nesh, aq më tepër kur mendoj se sa e domosdoshme ka për të qenë në radhë të parë për studentët tanë”, thotë Kaso.

Vepër e Ardian Isufit

Janë njëzetenjë artistë si Albes Fusha, Arben Bajo, Gazmend Leka, Fatmir Miziri, Merita Selimit, Spadik Spahija, Edmond Gjikopulli, Ardian Isufi apo Vladimir Myrtezai, që me veprat e tyre sjellin marrëdhënien e njeriut përballë fenomeneve.
Për Isufin, pjesëmarrës në këtë ekspozitë, të cilën ai e cilëson një bienale të artit – e shtrirë edhe në dy galeri të tjera, “Kalo” e “Zenit” – nuk është poetike, por politike. “Me atë çka po ndodh me qytetet tona, uzurpimi me sheshet, tokat, shtëpitë, ku natyra është e fundit”, thotë Isufit, i prezantuar për publikun me veprën “Objekt i paidentifikuar”, një kullë konike, i ngjashëm me minaren e një xhamie.


E vendosur në zemër të sallës qendrore është instalacioni i Fatmir Mizirit kube të vegjël betoni, që formojnë një shesh, ndërsa në mes një syth bime, si specie e fundme, në një natyrë të re, prej betoni. E dobët, e papërfillshme për të luftuar me përbindëshat, që e rrethojnë apo dritë shprese në një mjedis megjithëse të kontaminuar me urinë njerëzore për të tjetërsuar, ndryshku mbi kube duket se thotë që gjelbërimi, një ditë, do e rivendikojë atë që është e vetja.

Gamend Leka "Kuq e zi"

Gazmend Leka paraqitet me veprën “Kuq&Zi”, një punë që zë një faqe muri, ku artisti zbërthen simbolet kombëtare si shqiponja, përkrenarja, flamuri, duke bërë një historik të prejardhjes dhe shndërrimit të tyre në epoka, një enciklopedi e shkurtër e shqiptarizmës, ku format, totemi, ngjyrat i gjejnë fillesat në mitologji, helene, egjiptase, sumere, etruske e hebraike…
Skulptori Sadik Spahija në këtë ekspozitë vjen i prezantuar me instalacionin e tij “Vox Machina”, vepra me të cilën ai u shpall fitues i çmimit “Kult” për kategorinë e artit pamor.

"Vox Machina" Sadik Spahija


Një numër makinerish industriale të shkëputur nga konteksti dhe funksioni i tyre fillestar pranë fabrikave të ndërtuara ndër vitet e regjimit komunist në Shqipëri. Objektet kanë përftuar trajta animiste, përmes ndërhyrjeve të artistit. Ato nuk janë thjesht ready-made (objekte të gjetura) por objekte të shndërruara në mbartëse të një kumti në kohë. Një video shfaq pamje nga performanca, e shfaqur së pari në mjediset e Turbinës, më 2017-ën, përpara se kjo e fundit të kthehej në një hapësirë alternative për artet dhe të ripagëzohej si “ArTurbina”.

Vepër e Florian Haxhihysenit


Një proces montazhi, titulluar “Process001avb” vjen në përmasa të zmadhuara, ndërsa një dritë e projektuar mbi letrën e printuar krijon përshtypjen se procesi i po ndodh në atë çast kundrimi.
“Duke numëruar yjet”, është instalacioni i Edison Çeraj, ku pamjes qiellore i bashkëngjitet zëri i një fëmije që numëron, yjet. Zëri në sfond, nanuritës që përkujton atë proces përpara përhumbjes në mbretërinë e gjumit, i shoqëron vizitorët dhe i thërret derisa të përballen me veprën.


Harri Aleksi propozon “Flluskën e filtrit”. “Në epokën e programacioneve të përzgjedhur dhe rrjeteve sociale, lehtësisht mund të gjendemi brenda një flluske filtruese informimi dhe të kontrollojmë përmbajtjen e lajmeve përreth nesh, duke forcuar e radikalizuar opinionet tona personale”, shpjegon autori, duke e parë këtë si anën e errët të 20-vjeçarit të fundit të industrisë së informacionit. Çfarë është e vërtetë ose jo tashmë varet nga pozicionimi yt gjeografik dhe ideologjik gjithashtu dhe cilin burim audio viziv ndjek. Në një shoqëri të ndarë, lajmi i filtruar mund të përforcojë ende më shumë opinionet e polarizuara.
Ndihemi aq të sigurt brenda flluskës sonë të informacionit sa lejojmë vetëm lajme, të cilat pavarësisht sa të vërteta ose jo shkojnë për shtat me opinionet tona”, shkruan Aleksi. Rezultati i gjithë kësaj? Politikë e keqe dhe aspak funksionale.

Vladimir Myrtezai, "Made in -made on"

“Made in –made on” është vepra e Vladimir Myrtezait. Kjo vepër vjen si rezultat i artistit me të ardhmen dhe të shkuarën e tij, dy botë të ndryshme që balancojnë procesin krijues. Subjekti është ngritja e një raporti mes pjekurisë në të tashmen dhe hapave të parë që kemi hedhur dhe hedhim hë pas herre si reagime të vetvetishme, të pakontrolluara, si zhvendosje vertikale për t’u çliruar nga “formimi” dhe për t’iu dhënë lirshmërisë së gjërave që hasim në përditshmëri, të cilat kanë humbur sigurinë për t’u orientuar në kohë. Për Myrtezain, “made in” janë shtresat që na mbivendosen, ndërsa procesi i vazhdueshëm është çlirime prej tyre, si një palimsest, është “made on”.

Gjatë ditëve në vijim, “Procesi” do t’i kushtohet simpoziumeve, punëtorive dhe bisedave të hapura mbi çështje të artit dhe pedagogjisë. Ky format u jep mundësinë për pjesëmarrje jo vetëm pedagogëve që merren me studime shkencore, por edhe studentëve që kanë mbaruar Universitetin e Arteve dhe vazhdojnë krijimtarinë e lirë apo studimet e tyre diku tjetër.
Ngas organizatorët e saj, ky aktivitet mendohet se i shërben marrëdhënies pedagogjike duke prezantuar punën krijuese dhe kërkimore një publiku që do të ketë mundësinë të njihet me figura të njohura në historinë e artit shqiptar dhe atë botëror.


“Roli i akademive para-avangardiste të artit ishte mjaft i mirëpërcaktuar. Atëherë kishin të bënin me kriterin e mirëthemeluar të mjeshtërisë teknike – në pikturë, skulpturë dhe media të tjera – që mund t’u mësohej studentëve të artit. Sot shkollat e artit kthehen pjesërisht te ky kuptim i edukimit të artit – veçanërisht në fushën e mjeteve të reja të komunikimit. Vërtet, fotografia, filmi, videoja, arti dixhital e me radhë kërkojnë aftësi të caktuara teknike që shkollat e artit mund t’i mësojnë”, mendon Kaso, ndërsa shtron pyetjen se ç’lloj dijeje dhe mjeshtërie transmetohet nga shkollat bashkëkohore të artit sot. “Kjo pyetje, siç e dimë të gjithë, prodhon shumë konfuzion. Ja pse tashmë ne e shohim rishfaqjen e diskursit mbi artin si një formë të diturisë – një diskurs që bëhet i pashmangshëm kur flasim për procesin krijues në art.”

Ergys Krisiko 


Ekspozita, për të gjithë dashamirësit e arit do të rrijë e hapur, deri më 16 dhjetor, njëkohësisht edhe në galerinë “Zenit” dhe “Kalo”, ndërsa jashtë galerisë “Fab”, qëndrojnë edhe dy vepra publike; në anën e majtë një kupolë bunkeri e kthyer përmbys, ku shkruhet “Unë nuk prishem kurrë” , e prezantuar nga Ergys Krisiko, ndërsa në të djathtë një tub shkarkimi në ngjyrë portokalli ku mund të dallohen gjurmë të portreteve njerëzore, e titulluar “Qarkullim në presion”, nga Ardian Pepa.

Ardian Pepa 

Por figura honorifike e kësaj ekspozite, është fotografi Gjon Mili dhe fotografia emblematike e piktorit spanjoll. “Plotësisht të vetëdijshëm se natyra e vërtetë e kohës mbetet një mister i padepërtueshëm,revista Life do të ripublikonte në mars të vitit 2012, një përzgjedhje fotografish të mrekullueshme të Gjon Milit duke i përshkruar si fotografi me një teknikë të shkëlqyer, të
mbushura me momente, çaste dhe sekuenca që ofrojnë një koment të gjallë mbi marrëdhënien
që rrëshqet mes njerëzve të thjeshtë dhe atyre të përkohshëm - ndoshta edhe të përjetshëm”, thotë kuratori i ekspozitës, Ilir Kaso.
I frymëzuar nga imazhi hipnotik i fotografisë eksperimentale të Milit, Picasso projektoi tridhjetë vizatime centaurësh, demash, profilesh greke dhe firmën e tij gjithashtu. Kaso, si kurator i kësaj ekspozite propozon në fund, që hapësira e ekspozimit të shndërrohet në hapësirë eksplorimi, ku mund të ndihet procesi krijues i veprës, më tepër se përkufizimi final i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë