Ekspozite

Ekspozita sezonale e studentëve të artit në “FAB”/ Haxhihyseni: Nga video te instalacioni, qasja ndaj artit po ndryshon me brezat

Nga Liridon Mulaj – Në Akademinë e Arteve është kohë provimesh. Studentët janë entuziastë e njëkohësisht edhe të tensionuar pasi provimet e tyre nuk janë njësoj si të universiteteve të tjera. Ata krijojnë art, janë artistë dhe si të tillë përtej gjykimit të profesorëve, mbajnë mbi vete dhe barrën e gjykimit të artdashësve. Punimet e tyre janë të ekspozuara në Galerinë e Akademisë së Arteve “FAB”.

Në pamundësi ekspozimi të të gjitha punëve, janë ndërthurur katër atelie në tre dhomat e galerisë. Në hyrje, puna e parë që të shfaqet është një instalacion i studentit Rudi Prifti. Një thikë e ngulur mbi një mekanizëm elektronik. Në sallën kryesore e cila i dedikohet grafikës dhe multimedias , gjen punët e studentëve të krijuara me përkushtim dhe sigurisht vetëdijë estetike të lartë. Për mungesë hapësirë aty janë alternuar edhe disa instalacione por dhe një ekran i cili shfaq punën në animacion të studentëve. Në dy dhomat përkarshi janë vendosur atelieja e tekstileve dhe ajo e fotografisë dhe multimedias me video.

Në tërësi punët përshfaqin freskinë e moshës dhe dëshirën për sadisfaksion. Një portret i madh në mur, me gjuhën mes dhëmbëve që nuk dihet nëse është vetë studenti apo një portret i ndonjë figuranti, të krijon idenë e një qëllimi lojcak, i përshtatshëm për moshën.

Mandej një sferë transparentë që rrotullohet në një mekanizëm, një diell i madh mbi qelq, dhe disa grafika me ngjyrë të ëmbël të rreshtuara njëra pas tjetrës në vijë të drejtë, janë vetëm disa nga punët artistike të realizuara nga studentë të cilët me kaq sa përshfaqin, krijojnë bindjen se arti pamor është dhe do të jetë në duar të sigurta edhe në të ardhmen.

Pedagogu i Multimedas, Florian Haxhihyseni rrëfën për Gazeta “Si” se janë zgjedhur qëllimisht studentë nga masteri dhe bachelori me punimet më të mira për tu ekspozuar në fazën e parë.

“Aty ka studentë nga masteri dhe bachelori të cilët janë alternuar në një hapësirë. Janë zgjedhur punët më të mira. Sigurisht ka dhe punë të tjera të mira të cilat priten të ekspozohen në fazën e dytë. Në Maj ne realizojmë ekspozitën gjithëpërfshirëse e cila i ndan atelietë në ekspozita të veçanta për secilën. Janë dyzet studentë të cilët kanë realizuar punët e tyre por ne qëllimisht kemi zgjedhur vetëm disa në këtë periudhë për ti ruajtur të tjerat për ekspozitën e majit”, thotë Haxhihyseni.

Florian Haxhihyseni

Pyetjes se çfarë vë re ai se ndryshon te studentët e artit nga viti në vit, ai thotë se çdo brez dhe çdo kohë refleketon të arti burimor i tyre.

“Shoh që ka një tendencë më të lartë këto vitet e fundit te video. Ndërkohë para 4 ose 5 vitesh ka pasur një tendencë të instalacionet kinetike dhe te filmi eksperimental i cili vazhdon si tendencë edhe këtë vit . Gjithsesi mbetet në qasjen burimore dhe reflektuese të secilit sesi e përshfaq artin e tij”

Mbi pyetjen se çfarë ndodh me studentët e Multimedias pas mbarimit të fakultetit duke qënë se arti që ata aplikojnë nuk është ende një “kulturë masive”, ai thotë se secili e ka përzgjedhur drejtimin e tij duke marrë përsipër edhe rrisqet por dhe benefitet.

“ Sistemi që jetojmë sot është i ndryshëm nga sistemi i dikurshëm ku secili artist kanalizohej në institucione të ndryshmë që përkonin me profesionin. Sot është sistem i lirë.  Ka studentë të cilët ia kanë dalë të punojnë dhe të sigurojnë jetesën pa e prekur artin e tyre siç ka edhe nga ata studentë të cilët artin dhe njohuritë e përftuara në shkollë, i kanë vënë në jetë në profesionin e ardhshëm” përfundon Haxhihyseni.

Ekspozita e studentëve të arteve është një hapësire e mirë dedikuar artistëve të rinj, të cilët kanë vendosur ti dedikojnë jetën një profesioni sa elitar po aq dhe të paparashikueshëm. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fundin e muajit shkurt


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë