Ngjarje

Ekspozita që tregon se si hebrenjtë gjetën strehë në Shqipëri

Një kod i thellë i nderit e bëri Shqipërinë një nga vendet e pakta ku hebrenjtë mund të shpresonin t’i mbijetonin Holokaustit.

Pavarësisht se u pushtua nga Italia dhe më vonë nga Gjermania, Shqipëria kryesisht myslimane ishte një ndër vendet më të sigurta  në Evropë për hebrenjtë, gjatë Holokaustit dhe një nga të paktët që pa popullatën hebraike të rritej gjatë Luftës së Dytë Botërore. Janë këto fakte pak të njohura botërore që tregojnë atë çka shqiptarët e quajnë “besa” ose e thënë ndryshe kodin e nderit, e cila është treguar në një ekspozitë turne në Afrikën e Jugut nga fotografi Norman H. Gershman.

“Besa është një kod nderi thellësisht i rrënjosur në kulturën Shqiptare për njerëzit që të marrin përgjegjësinë  për jetën e të tjerëve në kohën e tyre të vështira,” shkruhet në broshurën e ekspozitës.

Nëpërmjet një seri portreti të familjeve që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar njerëzit që shpesh ishin të huaj, Gershman tregon historitë personale të  kësaj kohe. Ai tregon historinë e Aishes dhe Kadiut të cilën e mësoi nga vajza e tyre. Gjatë pushtimit nazist, Kadiu fshehu disa hebrenj në shtëpinë e tyre në qytetin e Kavajas. Prindërit e tyre strehoheshin nga një familje tjetër. Më pas ata të gjithë së bashku u shpërngulën në një zonë më të largët ku kishte shumë pak gjasa të vizitohej nga ushtarët gjermanë.

“Sandra, Jakovi dhe unë ishim miq të ngushtë,”ka thënë  Merushja për Greshmanin.

“Ne të gjithë rrinim në të njëjtën dhomë gjumi. Maj mend që kemi bërë një derë të vogël në atë dhomë në mënyrë që ata të shpëtonin, nëse gjermanët zbuluan se po fshiheshin tek ne. Kishte vazhdimisht patrulla gjermane. Kur gjermanët erdhën në shtëpi për të kërkuar hebrenjtë, babai im dërgoi Jakovin dhe Sandrën në një fshat të largët. Ne i dërgonim atyre gjithçka që kishin nevojë, deri në momentin që u çliruam nga pushtimi gjerman. Kishte një festë të madhe në Kavajë. Mbaj mend telegramin që morëm nga Jakovi dhe Sandra se sa të lumturin ishin që shpëtuan dhe vendi u çlirua nga gjermanët. Shumë shpejt ata u nisën për në Tiranë dhe më pas për në Izrael,” thuhej më tej në rrëfimin e saj.

Në Shqipërinë kryesisht myslimane, kishte një popullsi çifute prej vetëm 200 vetësh kur Hitleri mori pushtetin në Gjermani gjatë vitit 1933. Vetëm një familje hebre prej pesë vetash, humbi jetën gjatë Holokaustit, ndërsa të tjerët u arratisën.

Përveç mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri, shqiptarët ofronin ndihmë për qindra hebre në vendet e tjera të botës. Shumica e atyre që kërkuan mbrojtje në Shqipëri hynë në vend përmes Kosovës.

Një nga ata që ndihmoi në arratisjen e tyre ishte, edhe Arslan Reznqi, një tregtar Kosovar. Sipas nipit të tij të madh Lekë Rezniqit, ai fshehu më shumë se 40 familje hebre në shtëpinë e tij, ndërsa kontaktet e tij në të dyja anët e kufirit treguan mënyra për t’i dërguar ata në mënyrë klandestine në Shqipëri, e cila ishte nën kontrollin italian.

Lekë tregon se shqiptarët e Kosovës nuk i ofruan vetëm një shtëpi hebrenjve, por gjithashtu u siguruan që do t’i integronin edhe në shoqëri duke bërë punë si këpucar apo prodhues kuletash.

Ekspozita u soll në Afrikën e Jugut nga Qendra e Holokaustit dhe Genocidit në Johanesburg. Drejtori i Qendrës, Tali Nates, tregon se fotografitë ishin të rëndësishme për rëndësinë e vendimeve të marra nga individët dhe komunitetet në kohë tiranie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë