Ekspozite

Ekspozita në Prizren, si pasqyrohet Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar

Dokumentet historike që lidhin popullin shqiptar këtej dhe andej kufirit, personalitete të Kosovës që kanë dhënë kontribut në Shqipëri dhe një sërë dokumentesh në lidhje me historikun e dy vendeve janë ekspozuar në Prizren në kuadër të 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” titullohet ekspozita e çelur nga dy institucionet arkivore homologe, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido, thotë për Gazetasi.al se materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912.

“Ekspozita ‘Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar’ përmban dokumente nga shpallja e pavarësisë deri në vitet ‘90. Personalitetet nga Kosova, që kanë dhënë një kontribut të madh në pavarësinë e Shqipërisë dhe gjatë periudhave të tjera të historisë së kombit tonë”, shprehet Bido.

Përpos dokumenteve historike, Bido thotë se për herë të parë janë ekspozuar dokumentet e shkëmbimit të studentëve dhe stafeve pedagogjike gjë që nxjerr në pah marrëdhëniet arsimore mes dy vendeve.

“Janë ekspozuar edhe dokumentet e shkëmbimit të studentëve apo stafeve pedagogjike të Universitetit të Tiranës me ata të Universitetit të Prishtinës. Janë dokumente shumë interesante, pasi shohim që rreth viteve ‘80 kemi ardhjen në Shqipëri të një sërë studentësh dhe pedagogësh ku mund të përmendim Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosen”, vijon më tej drejtori i Arkivave për Gazetasi.al.

E veçanta e kësaj ekspozite është se janë grumbulluar në një vend, në një shfaqje të vetme, të gjitha materialet për çështjen e Kosovës që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, duke nisur nga Kuvendi i Vlorës, e deri te të dhëna për Komitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

“Deri më sot kemi bërë ekspozita apo edhe emisione për tema të caktuara në lidhje me Kosovën, por këtu, për herë të parë janë grumbulluar shumë çështje të shtrira në një rend kronologjik, nga shpallja e Pavarësisë më 1912, Konferenca e Paqes, Komiteti i Kosovës, çështja e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, zhvillimi i arsimit shqip në këto troje, marrëdhëniet e intelektualëve të të dy anëve tona të kufirit”, shprehet Bido.

Në shtëpinë e madhe Kosovë që sot është e pavarur si një shtet sovran, ai veçon disa personalitete që kanë vendosur një gur në rrugëtimin e saj.

“Kemi një veprimtari të ngjeshur të Hasan Prishtinës përpara vitit 1923, veprimtarinë e Komitetit të Kosovës në vitet 1918-1924, lëvizjet në emigrim të patriotikëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore padyshim mund të përmendim kontributin e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi dhe më tej bashkëpunimi gjatë Luftës dhe në vitet 1945-1947 midis udhëheqësve komunistë të shtetit shqiptar dhe eksponentëve shqiptarë të PKJ (Fadil Hoxha etj)”, përfundon Bido për Gazetasi.al.

Ekspozita, e cila është vendosur në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti” do të jetë e hapur për publikun deri më datë 18 shkurt 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë