Ekspozite

Ekspozita e karikaturës në Tiranë, një solidarizim edhe me Ukrainën

Nga Luljeta Nelallari – “Euro Humor”, ekspozita ndërkombëtare e karikaturës e hapur në Galerinë e Artit Tiranë, jo vetëm të jep humor dhe të ngjall gëzim kur e shikon, por nëpërmjet ironisë ose sarkazmës të bën të kuptosh edhe fakte ose ngjarje të natyrave të ndryshme.

Kjo ekspozitë vjen edhe si një rastësi domethënëse ku pas lajmeve për nisjen e sulmeve luftarake ndaj Ukrainës, midis artistëve nga vende të ndryshme të botës, paraqiten edhe punime të dy emrave të njohur të artit ukrainas. Një sallë me punime në karikaturë i dedikohet artistit të madh, Jurij Kosobukin nga Ukraina me një retrospektivë, një homazh kujtimit dhe artit të tij.

“Euro Humor” në Galerinë e Artit Tiranë vjen e kuruar nga Gianni Martini (Itali) dhe Abaz Hado, të cilët kanë sjellë një zhanër që vitet e fundit nuk është shumë i përhapur.

Kuratori Hado shprehet për Gazetasi.al se kjo ekspozitë bëhet akoma më aktuale dhe solidarizuese me pjesëmarrjen e artistëve ukrainas.

“Kjo ekspozitë është një nga ato evente që i japin vlerë dhe Galerisë së Tiranës për nga numri i artistëve, mbi 60 të tillë nga bota. Për nga përmbajtja e vlerës sepse ne shohim shkolla të ndryshme botërore të karikaturës. Por, më kryesorja duke e lidhur edhe me ngjarjet tronditëse në Ukrainë, në këtë ekspozitë janë dy artistë nga ky vend, njëri prej tyre shumë i famshëm, i cili ka rreth 40 karikatura”, shprehet kuratori Abaz Hado.

Pjesë e kësaj ekspozite janë dhe disa nga veprat e artistit Agim Sulaj, në karikaturë e vizatime surreale, punime që kanë fituar dhe çmime ndërkombëtare. Edhe piktori dhe karikaturisti, Agim Sulaj shprehet se një mesazh të veçantë në këtë ekspozitë jep salla ku janë ekspozuar veprat e karikaturistit të njohur nga Ukraina, Jurij Kosobukin.

“Në ditën e sulmit rus mbi Ukrainën, kjo jep një mesazh të madh të artit e kulturës satirike ndërkombëtare që lidh dhe bashkon njerëzit nëpërmjet artit të karikaturës”, shprehet Sulaj për Gazetasi.al.

Ai thotë se veprat  vijnë nga Fondi Europian i Karikaturës, në Piemonte të Italisë.

“Kjo është një përmbledhje me vepra nga Fondi Europian i Karikaturës, ‘Euro Humor’ në Piemonte të Italisë. Çmimin e parë që kam fituar mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1993, e kam fituar pikërisht aty”, vijon piktori shqiptar, Agim Sulaj që prej vitesh jeton në Itali.

Vepër e piktorit Agim Sulaj, “E ardhmja, një fëmijë që qëndron gati pezull përpara një bote të frikshme” 

Ndër veprat e piktorit dhe karikaturistit Sulaj janë “Trokitja”, “Thashethemet”, “E ardhmja”, “Të pasur e të varfër”.

Nga Agim Sulaj, “I pasuri bën sikur ikur e ndihmon të varfrin”

Në këtë ekspozitë me punime të ndryshme, nuk mungojnë dhe disa punë që janë pjesë e arkivit të shtetit të revistës “Hosteni” dikur, një revistë shqiptare e humorit dhe e satirës.

Në fund, kuratori Abaz Hado shprehet se “me këtë ekspozitë, ne presim një publik që të vizitojë karikaturën botërore, pasi është një rast unik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë