Nga Gazeta ‘SI’ – Përballë luhatjeve të kursit të këmbimit, eksportuesit vendas këmbëngulin për ndërhyrje nga qeveria.
Në një takim me mediat, kreu i Shoqatës ProEksport, Edvin Prençe propozoi njohjen e dëmit që i është shkaktuar këtyre bizneseve nga dobësimi i euros, njohur si “kursi industrial”.
“Kursi i këmbimit industrial nuk është gjë tjetër, veçse njohje e dëmit ekonomik që vijnë nga luhatjet e kursit të këmbimit. Kosto që deri më sot janë mbajtur nga bizneset dhe si e tillë duhet të ketë një tavolinë teknike se si mund të menaxhohet kjo barrë që deri më sot ka qenë e biznesit. Është një sektor që ka 650 biznese aktive me 65 mijë të punësuar, kemi qenë 750 biznese, por një pjesë janë të mbyllura dhe kjo përkthehet në humbje të vendeve të punës. Bizneset shqiptare nuk ndihen ende gati për të konkurruar me sipërmarrjet europiane. Teksa vendi përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, bizneset e vogla dhe të mesme kërkojnë ndihmë”, u shpreh Prençe.
Më tej ai theksoi se këtij sektori i duhen 7 mld euro investime që t’i afrohet bizneseve europiane, si në aspektin e inovacionit ashtu edhe të menaxhimit të mbetjeve.
“Shqipëria 2030 ka një kosto shumë të lartë dhe është përllogaritur në 7 miliardë euro që të bëhet e mundur që bizneset të mund të jenë të ngjashëm me bizneset evropiane. Investimi në teknologji dhe në trajnime të njerëzve, janë pikat për të cilat jemi në diskutime edhe me qeverinë. Diversifikimi ose ndryshimi i mentalitetit të të bërit biznes ose mentaliteti i të prodhuarit në Shqipëri, që duhet të ketë në optikë rritjen e cilësisë dhe uljen e kostove përmes automatizimit. Sektori ynë prodhon 40 mijë tonë mbetje në vit po punojmë për realizimin e ekonomisë qarkulluese për të bërë të mundur që këto mbetje të riciklohen që të jemi të veçantë në raport me vendet e tjera”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.