Treg

Eksportuesit bojkotojnë fermerët pas 14 marsit: Qeveria të reflektojë

Eksportuesit kanë marrë një vendim; mbas datës 14 mars 2019 nuk do të grumbullojnë më asnjë litër qumësht për të cilin sipas tyre, do të duhet që të paguajnë 14% tatim mbi vlerën e shtuar, e cila sipas ligjit bazë fiskal, atij të TVSH-së i takon prodhuesit të produktit.
Ky vendim vjen pas miratimit të ligjit për TVSH e produkteve bujqësore primare, më datën 3 dhjetor 2018, sipas të cilit, “Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor”, fjalët “20 për qind” zëvendësohen me fjalët “6 për qind”.

Pra me skemën e re të TVSH-së, për të gjitha produktet bujqësore në blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20%.

Kjo skemë, me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, sipas grupeve të interesit, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij. “Kjo është një goditje për një sektor që i jep ekonomisë së vendit 26% “-thonë eksportuesit.

Sipas Alban Zusit, kreut të Qendrës së Sksporteve Shqiptare, me këtë ligj teknicienët e Ministrisë e Ekonomisë dhe Financave propozues të këtij ligji, u kërkojnë grumbulluesve, industrialistëve dhe tregtarëve që t’u japin fermerëve 14% më pak në çmim dhe këtë 14%-ësh ia kërkojnë kësaj ketegorie që ta derdhë në buxhetin e shtetit si një taksë shtesë për prodhimin bujqësor dhe fermerët vendas.

Sipas përllogaritjeve të bëra nga grupet e interesit, produktet vendase bujqësore do të kushtojnë 14% më shtrenjtë se ato të importit për blerësit e ndërmjetëm në zinxhirin e vlerës (për qëndrat e grumbullimit, rrjetet e supermarketeve, tregëtarët e shumicës dhe industritë), dhe kjo kosto tejkalon vlerën e 100 milionë euro në vit. Gjë që ka nisur të reflektohet në xhepat e konsumatorëve.

Prandaj, thotë Zusi në emër të të gjithë bizneseve nën emrin e Qendrës Shqiptare të Eksporteve, të bindur në padrejtësinë morale të kësaj takse dhe në pamundësinë ekonomike të fermerit shqiptar për ta paguar këtë taksë, apo më keq akoma për t’ia transferuar këtë taksë në rritje çmimi konsumatorit të produkteve vendase, në mes të të cilëve bën pjesë edhe kategoria e 40% më i varfër i popullsisë nuk ka, industrialistët, grumbulluesit dhe tregtarët, përmes zërit të tyre të unifikuar në të gjitha organizatat e biznesit ku ata bëjnë pjesë, kanë bërë të gjitha përpjekjet për të sqaruar fillimisht politikanët dhe politikbërësit e më pas edhe teknicinët që kanë iniciuar këtë vendimmamrrje.

“Pas tre muajsh takime pa konkluzion, një mori shkresash pa përgjigje dhe tashmë qindra million lekë tatim mbi vlerën e shtuar të paguar për muajin Janar nga industrialistët, grumbulluesit dhe tragtarët për llogari të fermerëve, ky grupim i konceptuar nga teknicienët e ministrisë së Financave si taksambledhës të fermerëve ka vendosur që t’ia bëjë të njohur fermerëve se cila është taksa që iu kanë vendosur këta teknicienë, si dhe faktin se mbas muajit Shkurt nuk kanë më mundësi të vazhdojnë të paguajnë për llogari të tyre.”- gjykojnë grupet e interesit.

Në të kundërt, mendojnë ata, nëse industrialistët, grumbulluesit dhe tregtarët do të vazhdojnë ende të paguajnë taksën prej 14% që teknicienët e Ministrisë së Financave u kanë vendosur fermerëve, ka shumë gjasa që fermerët të mos kenë më ku të shesin produktet e tyre, pasi këto sipërmarrje do të falimentojnë.

Data 14 mars 2019 është kufiri i vendosur për reflektim nga eksportuesit pas një takimi ditën e djeshme me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Z. Bledi Çuci, Zv. Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Z. Elton Haxhi dhe ekipin e këtyre dy ministrive.

Por, nëse me 14 Mars 2019, thonë eksportuesit, ne do të jemi përsëri të detyruar t’u paguajmë taksidarëve të Ministrisë së Financave nga xhepi ynë apo nga kreditë bankare taksën që këta i kanë vendosur fermerëve, do jemi të detyruar që këtë fakt t’ua komunikojmë fermerëve dhe më pas ata ta vazhdojnë vetë përpjekjen e tyre, natyrisht duke pasur mbështetjen tonë, por kjo është taksa e tyre dhe rrjedhimisht përpjekja duhet të jetë e tyrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë