Treg

Eksportet u ulën me 15% në tetor

Nga Gazeta 'SI' - Eksportet e mallrave të vendit u ulën me 15.2% në tetor të vitit 2024, duke arritur vlerën 31 mld lekë. Për 10-mujorin janar-tetor 2024, eksportet kanë rënë me 14.3% raporton INSTAT, në një vlerë 317 mld lekë.

Importet e mallrave u ulën me 1.5% për muajin tetor, në 77 mld lekë dhe u rritën me 2% për 10-mujorin, në 743 mld lekë.  

Deficiti tregtar nga janari në tetor arriti vlerën 426 mld lekë, duke u rritur me 18.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Rënia më e madhe e eksporteve gjatë tetorit u ndikua nga rënia në grupin e materialeve të ndërtimit, me -8.2 pikë përqindje dhe grupi i tekstileve e këpucëve me -3.5 p.p.

Gjatë muajit Tetor 2024, në uljen e eksporteve prej -15,2 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje etj

Në rënien e importeve për të njëjtin muaj, kanë ndikuar po ashtu materialet e ndërtimit, -3.3 p.p dhe mineralet, lëndët djegëse e energjia me -1 p.p.

Tkurrja më e fortë e eksporteve në tetor sipas vendeve partnere ka ndodhur me Kosovën, -24%, Italinë 13.6% dhe Spanjën 4.7%. Për të njëjtin muaj, raportohet se Shqipëria ka pasur nëj rritje të eksporteve me Greqinë, 12.3% dhe Gjermaninë 11.4%.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë Maqedonia Veriut 17.6% dhe Italia 3.4%. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të janë Greqia 28.1%, Turqia 6.6%, Kina 2.7%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë