Treg

Eksportet shqiptare drejt përmirësimit, kapërcejnë nivelet e parakrizës

Ndryshe nga marsi i vitit të kaluar kur sapo kishin nisur të ndiheshin dëmet ekonomike të pandemisë dhe eksportuesit vuajtën ndërprerjen e porosive nga partnerët, këtë mars situata me eksportet është përmirësuar ndjeshëm.

Sipas të dhënave të INSTAT, në mars 2021, eksportet u rritën me 78.6% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Për këtë tremujor eksportet u rritën me 22%, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s dhe arritën vlerën 80 miliardë lekë.

Grupi me ecurinë më të mirë është “Materiale ndërtimi dhe metale”, që është rritur me 64% për 3 mujorin, ndërsa në raport me periudhën  janar-mars 2019, shifrat janë 32% më të larta.

Ushqimet pijet dhe duhani kanë vijuar tendencën e tyre pozitive, duke shënuar një rritje prej 26% në janar-mars me bazë vjetore. Ky është dhe grupi që ishte më pak i ndikuar nga kriza pandemike ndërsa “Mineralet dhe lëndët djegëse” shënuan po ashtu rritje me 39% për tre mujorin.

 Deficiti tregtar i këtij muaji është 33 miliard lekë, duke u rritur me 23,4 %, krahasuar me marsin e vitit 2020.

Sa i përket grupit që ende nuk po ngre krye është ai i “Tekstileve dhe këpucëve”. Në raport me tremujorin 2019, kur sektori po shënonte një ecuri pozitive, eksportet janë 12% më të ulëta.

Për tre mujorin, grupi është me një rritje prej 6.2%, me bazë vjetore.

Në tremujorin e parë 2021, importet e mallrave arritën vlerën 162 miliard lekë, duke u rritur me 17,5 % krahasuar me një vit më parë.  Deficiti tregtar arriti vlerën 82 miliard lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (16,4 %), Kosova (35,5 %) dhe Greqia (53,2 %).

Vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (15,6 %), Mbretëria e Bashkuar (27,2 %) dhe Ukraina (14,9 %).

Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2021, me vendet e BE zënë 63,5 % të gjithë tregtisë.

Në periudhën Janar – Mars 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,9 % të eksporteve gjithsej ndërsa  importet zënë 57,4 %.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,5 %), Turqia (7,6 %), Greqia (7,4 %) dhe Kina (7,0 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë