Nga Gazeta ‘SI’ – Eksportet shqiptare nuk po ia dalin dot të rimëkëmben.
INSTAT tregon se gjatë muajit gusht, eksportet kanë rënë me 32.5% nga muaji korrik dhe me 18% nga një vit më parë. Në gusht eksportet arritën një vlerë prej 22 mld lekësh. Shifrat tregojnë se të gjithë sektorët e eksportit janë goditur me grupin e mineraleve dhe lëndëve djegëse që ka rënien më të fortë 10 p.p, tekstile dhe këpucë me 3.7 p.p, materiale ndërtimi dhe metale me 2.8.
Panorama është e njëjtë për të gjithë 8-mujorin janar-gusht 2024.
Në total, eksportet arritën vlerën e 255 mld lekëve gjatë 8-mujorit, me rënie 15% nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Për këtë kohë, shifrat tregojnë se goditja më e fortë ka qenë për grupin e mineraleve dhe lëndëve djegëse, me rënie vjetore 31.5%. Në 8 muaj eksportet e këtij grupin arritën vetëm 50 mld lekë.
Tekstilet dhe këpucët ranë me 17.2% në raport vjetor, duke arritur vlerën e 70 mld lekëve. Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve janë dobësuar me 9.2% nga një vit më parë. Për ushqime dhe pijet, rënia ka qenë më e vogël, 8.8% në raport vjetor.
Në gusht të 2024-s, deficiti tregtar raportohet 46 mld lekë me rritje 16% nga gushti i një viti më parë. Krahasuar me muajin korrik, deficiti është ulur me 11%.
Në tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me -14.9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 595 mld lekë, duke u rritur me 3.2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 340 mld lekë, duke u rritur me 22.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Gjatë muajit gusht 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me gusht 2023 janë: Italia (1,5%), Kosova (17,4%), Greqia (43,4%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Gjermania (34,2%), Kina (46,3%), Turqia (37,8%), etj.
Në muajin gusht 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (2,8%), Kina (13,0%), Turqia (22,1%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (6,5%), Spanja (40,7%), Maqedonia e Veriut (28,6%), etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.