Nga Gazeta ‘Si’- Prej gati dy vitesh tashmë eksportet vijojnë trendin rënës.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në shkurt eksportet arritën vlerën e 32 mld lekëve, duke u tkurrur me 16.1% krahasuar me shkurtin e vitit të shkuar. Ndërsa në raport me janarin janë rritur me me 7.9%.
Për dy muajt e parë të vitit eksportet e mallrave arritën vlerën 62 mld lekë, duke u ulur me 23%.
Grupet kryesore që kanë ndikuar negativisht në këtë rënie janë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.7%, “Tekstile dhe këpucë” me 4.5% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.3%.

Industria e tekstileve e këpucëve prej muajsh ka qenë më e goditura, me kompanitë që tashmë kanë filluar shkurtimet e punonjësve, për shkak të rënies së porosive nga partnerët e huaj. Këta të fundit po zhvendosin prodhimin drejt vendeve me kosto më të lira të punës.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me 0.4% dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.1%.
Importet e mallrave në shkurt arritën vlerën e 74 mld lekëve duke u rritur me 6.4% krahasuar me një vit më parë.
Edhe në importe janë të njëjtat grupe që kanë ndikuar negativisht: “Tekstile dhe këpucë” me 1.9%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.2% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 0.5%.
Thellohet deficiti tregtar
Ndryshe nga eksportet, importet e mallrave janë rritur, duke përkeqësuar deficitin tregtar.
Referuar të dhënave të INSTAT deficiti tregtar në shkurt është 42 mld lekë, duke u rritur me 34% krahasuar me shkurtin e vitit të shkuar. Ndërsa në raport me janarin e këtij viti është rritur me 37.3%.
Rriten eksportet me Kosovën, bien me Italinë, Turqinë e Kinën
Sipas INSTAT, vendet me të cilat Shqipëria ka patur uljen më të madhe të eksporteve gjatë dymujorit janë Italia(16.2%), Turqia (9.3%) dhe Kina (29.2%).
Ndërsa vendi me të cilin Shqipëria ka patur rritjen më të madhe të eksporteve është Kosova (21.2%). Që prej kur Kosova vendosi një masë qershorin e kaluar e cila ndalonte importin e mallrave nga Serbia, ka rritur ndjeshëm importet me Shqipërinë. Pas 12 vitesh Shqipëria u bë partnerja kryesore tregtare e Kosovës.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57.7 %, të gjithë tregtisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




