Treg

Eksportet në rënie të lirë, kanë marrë ekonominë me vete

Sabina Veizaj - Aktorët e tregtisë së jashtme e kishin paralajmëruar dy vite më parë atë që po ndodh sot me eksportet, të cilat po tërheqin zvarrë të gjithë ekonominë me vete.
Pas katër vitesh me rritje, gjatë 2019-s eksportet kanë performuar negativisht. Sipas INSTAT eksportet arritën vlerën 299 mld lekë gjatë vitit që lamë pas duke u ulur me 3,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Disa syresh të sektorit thonë se gropa e eksporteve nisi të hapej me rënien e euros, e cila edhe sot nuk është deklaruar se nga vjen sepse “nuk e justifikojnë faktorët e tregut”, saqë, thonë ata “edhe sikur ekonomia botërore dhe europiane të lulëzojë, edhe një grimcë shkëlqimi e saj nuk dihet nëse dhe kur mbërrin tek ne”.

Për 2019-n ai zë që ka fundosur eksportet është “Tekstile dhe këpucë” duke shënuar rënie vjetore të tyre me 4,6% në 2019-ën.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve shpjegon për Gazetën “Si” se tre janë faktorët që po bëjnë që eksportet sa vjen e bien përherë e më shumë; rënia e euros, situata politike dhe ajo gjeopolitike.

Florian Zekja, Unioni i Fasonistëve

“Ne gjatë kësaj periudhe të gjatë të pakthyeshme të rënies së euros kemi ulur fitimin për kontratat aktuale. Thënë këtë nuk arrijmë dot të rrisim as pagat, as të investojmë në teknologji, rrjedhimisht nuk jemi konkurrues në tregjet ku kemi kërkesa. Situata politike konfliktuale prej 4 vitesh ka bërë që të gjithë energjitë janë drejtuar kah reformës në drejtësi, reformës zgjedhore, kah protestave dhe aspak nga ekonomia, ne nuk po arrijmë të ulemi dot në tryeza për të shpëtuar bizneset tona. Po ashtu edhe situata gjeopolitike ku sanksionet amerikane që kanë prekur BE-në, ka bërë që ato vende të mos rinovojnë kontratat”- sqaron Zekja.

Ai tregon se një mekanizëm për të shpëtuar vetë bizneset, është eksperimentimi me punonjës të huaj nga Bangladeshi dhe Pakistani. Pasi një biznes fason të llogarisë kostot dhe leverdisshmërinë për marrjen e grupit të parë të krahut të punës nga këto vende, kërkesat e bizneseve të tjera janë gati për të marrë edhe ata punonjës nga këto vende. E para shpjegon ai, sepse punonjësit po ikin në emigrim dhe e dyta edhe atyre që janë nuk mund t’iu rrisim pagat.

Të njëjtin shqetësim shpreh edhe Alban Zusi nga Qendra Shqiptare e Eksporteve për rënien e fuqisë punëtore si pasojë e tkurrjes së ekonomisë.

Alban Zusi, Qendra Shqiptare e Eskporteve

“Më duheshin konstruksione metalike. Kur shkova tek kompania për ti blerë më tha që montoji vetë se nuk kam punonjës, kanë ikur, nuk ia dal dot. Në këtë situatë ata nuk realizojnë xhiron, unë kam vonesa”- thotë Zusi për gazetën “Si”.

Në një përshkrim që i bën tablosë së sektorit të eksporteve, Zusi sqaron se “që kur nisi të binte euro në mënyrë të qëndrueshme dy vite më parë, ne e paralajmëruam këtë kronikë që po nxin ekonominë në tërësi. Rënia e eksporteve ka sjellë rënien e investimeve e si rrjedhojë treguesit e tjerë që kanë shpënë në tkurrjen e ekonomisë. Politikat fiskale nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, por po godasin shtresën e mesme. Taksimi në mënyrë kumulative i personave që kryejnë më shumë se një punë, do të thotë goditje e profesionistëve. Çfarë të bëj unë me një menaxher të zotë në këtë rast; nëse i ul pagën, demotivohet dhe ikën, më duhet të marrë një person më pak të kualifikuar që do të ndikojë në cilësinë e biznesit duke e bërë atë jokonkurues. Ose, nëse i rris pagën, barra fiskale e shtuar bie mbi mua dhe unë nuk investoj dot”

Shtoji këtyre, shpjegon Zusi, çmimin më të lartë në rajon për energjinë elektrike dhe karburantin dhe rritjen e pagës minimale pa asnjë incentivë për biznesin.

Situata në të cilën gjendet biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi për Zusin është një udhëkryq ose edhe një rreth vicioz negativ ku në asnjë anë nuk shikohet një dritë jeshile.

Për sa kohë politikat e zhvillimit të ekonomisë nuk drejtohen për të nxitur rritjen e zhvillimit të biznesit dhe shtresën e mesme që duhet të jetë konsumatori më i madh, mendon Zusi, ekonomia do të vazhdojë të lëvizë rreth rrethit vicioz ku gjendet aktualisht.

Arben Shkodra, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë


Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është më optimist për situatën.

Ai mendon se arsyeja e kësaj rënie të eksporteve është mungesa e konsolidimit të gamës së produktit vendor të qendrueshme.

“Një ndër zerat kryesor që ne eksportojmë më shumë është energjia elektrike i cili për nga natyra e krijimit është i paqëndrueshëm, i paparashikueshëm dhe me një risk të lartë. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të përqendrohemi në zhvillimin dhe mbështetjen e produkteve më të qendrueshëm dhe që na dallojnë nga vendet e tjera, duke i dhënë prioritet, jo vetëm në trajtimin e veccantë fiskal por edhe me mbështetje dhe promovim. Ndër këto produkte hyjnë edhe ato të fruta-perimeve, bimëve medicinale, për vetë potencialet natyrore që ne kemi”- thotë Shkodra.

Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se për 2019-ën, zëri i ushqimeve rezultonte me rritje prej 1,3 %.

Sipas Shkodrës, edhe pse nuk marrin mbështetjen e nevojshme, ky zë rezulton me rritje pasi investitori vendas bën çmos për të shtuar prodhimin dhe për të kapur tregjet e huaja vetë. “Po sikur administrata shtetërore të mbështeste më shumë këtë gamë produktesh?”- pyet ai.

“Italia fqinje ka dhjetëra vite që nuk eksporton me produktin e papërpunuar por e transferon atë tek konsumatori final në vendet e tjera në formën e gatshme për konsum, duke i dhënë një vlerë të shtuar dhe duke promovuar markën vendase në të gjithë botën. Ne krenohemi për pak rritje në një sektor por harrojmë se vlerën e shtuar dhe markën ia japin vendet e tjera. Në çdo rast kultivimi dhe rritja duhet të fillojë të shoqërohet me përpunim dhe pregatitje për konsum. Edhe sektori i tekstileve dhe lëkurës, që dikur mbanin një peshë në eksporte, duhet të fillojë të ndryshojë model duke u përqendruar te mbyllja e ciklit të prodhimit në vend dhe përqafimi i modelit “privat label”- sqaron Shkodra duke shtuar se politikat industriale të shtetit që mungojnë aktualisht janë të domosdoshme.

Sipas tij duhet studiuar se çfarë kemi, çfarë dimë të bëjmë dhe si ti shpiem ndryshe produktet tona në botë.

Në të njëjtën kohë, thotë Shkodra, qeveria duhet të hartojë paketa të veçanta fiskale dhe proceduriale për prodhuesit/eksportuesit, po ashtu edhe përfaqësuesit tanë nëpër botë duhet të promovojnë produktet Made in Albania.

Prandaj, thonë aktorët e sektorit, eksportet janë në rënie të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë