Shendet

Ekspertja paralajmëron për pandeminë e ardhshme të madhe: Mund të vrasë më shumë njerëz se Covid-19

Ekspertët globalë të shëndetit kanë frikë se pandemia e ardhshme e madhe mund të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët dhe mund të jetë më serioze se ajo e Covid-19.

Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar pandeminë e ardhshme të madhe (e ashtuquajtura “Sëmundja X”) se do të shkaktohet nga një virus që po mbahet aktualisht nën vëzhgim, me një probabilitet të konsiderueshëm që të infektojë në masë në çdo moment.

OBSH ka thënë se për të luftuar të tilla sëmundje do të duhet të krijohen vaksina dhe të fillojë vaksinimi në kohë. Por ashtu si edhe me pandeminë e fundit, nuk ka asnjë garanci se kjo do të ndodhë.

OBSH shton se efektet e sëmundjes kanë gjasa të tejkalojnë ato të Covid, për të cilën bota ishte e papërgatitur në fillim të vitit 2020.

Kate Bingham, e cila kryesoi Task Forcën e Vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar midis majit dhe dhjetorit 2020, thotë se nuk duhet të jemi të lumtur se Covid-19 tashmë konsiderohet si një sëmundje normale pasi një virus tjetër pritet herët ose vonë.

“Pandemia e gripit 1918-1919 vrau të paktën 50 milionë njerëz në mbarë botën, dy herë më shumë se sa u vranë në Luftën e Parë Botërore. Sot, ne mund të presim një numër të ngjashëm vdekjesh nga një prej viruseve të shumtë që ekzistojnë tashmë në qarkullim”, tha Bingham.

Ajo zbuloi se për momentin janë 25 familje virusesh për të cilat janë të vetëdijshëm, secila prej të cilave përfshin deri në mijëra viruse individuale që të gjithë kanë potencialin të evoluojnë në një pandemi. Përveç kësaj, mendohet se mund të ketë rreth një milion viruse të tjera të pazbuluara, të cilët mund të kalojnë nga specia në specie dhe të kenë aftësinë për të vrarë miliona qenie njerëzore.

Duke shpjeguar rritjen e pandemive, Kate thotë se nuk është thjesht një “fat i keq”. Ajo thotë se globalizimi është një shkak kryesor, pasi mbipopullimi i qyteteve dhe shpyllëzimi kanë krijuar “kushtet ideale” që viruset të kalojnë midis specieve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë