Keshilla

Ekspertët: Si ta menaxhojmë stresin nga koronavirusi

Gjatë ditëve të fundit është pothuajse e pamundur të lexosh lajme, të kontrollosh internetin dhe të bësh një bisedë me miqtë, pa dyshuar për koronavirusin e ri. COVID-19 është kryefjala e ditëve të gjithësecilit. Ashtu edhe si qytetarët e vendeve të tjera, edhe shqiptarët janë të etur për informacion mbi COVID-19. Kjo gjendje ka krijuar panik tek njerëzit dhe shumë prej tyre nuk dinë si ta menaxhojnë këtë gjendje.
Sociologu Gëzim Tushi i tha Gazetës “Si” se situata që po kalojmë në shoqërinë shqiptare si rezultat që ka sjellë përhapja e koronavirusit, padyshim që do të sillte pasoja në jetën shoqërore dhe individuale, efektet janë të pranishme kudo.
“Këto janë ndjenja të natyrshme në situata të tilla, janë të shpjegueshme sepse kanë një faktor që ndikon në to”, thotë sociologu.
Më tej ai shpjegon se në shoqërinë shqiptare dallojmë dy grupe njerëzish. Eksperti shprehet se nga njëra anë janë ata që e marrin me lehtësi ekzistencën e koronavirusit dhe rrezikun që ai paraqet e nga ana tjetër janë ata që e përjetojnë me stres të theksuar ngjarjen.

Sociologu Gëzim Tushi

“Grupi i parë kanë një mendim të gabuar, që është i dëmshëm dhe me pasoja, jo vetëm me individin por edhe për pjesën tjetër të shoqërisë. Kështu në një farë mënyre kjo kategori, ka nevojë që të “bombardohet” fort me realitetin në mënyrë që ata të binden që kokëfortësia e tyre është krejtësisht e brishtë përballë sëmundjes. Ndërsa për grupin e dytë që amplifikon dhe zmadhon rreziqet e koronës dhe e shikon atë si një gjë fataliste, duhet punuar në një mënyrë tjetër. Me këta njerëz të friksuar që janë në panik, të cilët nga njëra anë kanë kujdes të jenë të kujdesshëm, por nga ana tjetër ne kemi nevojë që t’i ndihmojmë që ta perceptojnë në përmasa realiste rrezikun dhe të keqen që sjell kjo sëmundje. Është e nevojshme që të mendojmë se krahas kujdesit, duhet të kemi edhe tonet optimiste , të besimit që do ta kapërcejmë këtë situatë,” është shprehur Tushi.
Koronavirusi i ri, ka shkaktuar një gjendje paniku dhe të gjithë njerëzit këto ditë kanë vrapuar për të blerë dizifektantë, alkool, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme që të kalojnë këtë gjende me sa më pak probleme. Duke qenë se virusi është i padukshëm kjo bën që njerëzit të jenë më të frikësuar.

Psikologia Ariana Muçaj

Por si mund ta kalojë individi këtë gjendje?

Psikologia Arjana Mucaj tregon për Gazetën “Si” se kjo gjendje ka shkaktuar një çekuilibër në gjendjen tonë emocionale dhe kemi ndryshime hormonale në organizëm, pasi rritet niveli i stresit dhe në këtë rast njerëzit përjetojnë “stresin negativ”.
“Gjithmonë, flasim për teknika relaksimi kundrejt stresit. Pamundësia e shëtitjeve në ajrin e pastër mund të zëvendësohet me argëtimin nëpërmjet lojërave me pjesëtaret e familjes. Komunikime për tema interesante me njeri-tjetrin. Largimi i vëmendjes nga pamjet vizive të lajmeve të njëpasnjëshme rreth virusit aktual. Largimi nga biseda të personave që janë në ankth pasi kjo do të ndikoje negativisht tek në si individë. Përdorimi i jogës për individë që e aplikojnë pasi truri ka nevoje për qetësi,” shpjegon psikologia.
Gjendja e njerëzve tashmë është e vështirë, pasi është një situatë me të cilën nuk janë përballur më parë. Tushi i tha Gazetës se gjithçka qëndron në menaxhimin e situatës.

“Në fillim ishte ankthi sepse ishin të shqetësuar për atë që po ndodhte përtej tyre jashtë kontinentit tonë. Kur kjo e keqe u afrua, njerëzit filluan të kishin më shumë frikë sepse objekti u bë më i afërt. Duhet t’i shmangemi frikërave të ekzagjeruara, kaosit, tmerreve të panikut, të cilat nuk janë të dobishme as për shëndetin e shoqërisë, as për shëndetin e individit. Të gjithë duhet të krijojnë një front të përgjithshëm që ta përballuar këtë armik. Së pari është fizionomia e njeriut. Lufta që bën trupi ndaj patologjisë, e cila është një luftë për jetë a vdekje dhe nëse ne marrim masa dhe mbrojmë veten tonë dhe nëse nuk i hapim portat e kështjellës së trupit tonë, atëherë nuk do të futet virusi. Nëse sëmundja gjen njerëz të frikur në panik, atëherë sëmundja do të sjell fatkeqësi,” cilëson sociologu.
Ndërsa psikologia Mucaj shprehet se për të ulur nivelin e ankthit, duhet të marrim sa më shumë informacione të besueshme nga burime të besueshme të cilat na japin siguri.
“Qëndrimi sa më pak në internet, për leximin e lajmeve on-line, pasi siç edhe e dimë, një pjesë e tyre janë sa për të marrë disa klikime me shume, por harrojnë se shtojnë ankthin tek shoqëria. Duke respektuar hap pas hapi masat që na kërkohet të ruajmë, ndër to edhe ruajtjen e qetësisë. Pasi duhet të kuptojmë se ruajtja e balancës emocionale në organizëm ndikon dhe në shëndetin tonë,” thekson psikologia.
Gjithashtu, edhe psikologia e fëmijëve Lorela Garuli, këshillon prindërit që jenë të kujdesshëm kur flasin me fëmijët për koronavirusin. Sipas saj, ata duhet të flasin me terma të njohur si për shembull, “grip”, “sëmundje”, “ftohje”, “kollë”, sepse ankthi nga e panjohura është shumë i rrezikshëm. Thelbësore, sipas psikologes, është edhe fakti që duhet t’u shpjegohet fëmijëve rëndësia e masave mbrojtëse dhe parandaluese, duke nxitur heqjen e çdo paqartësie që ata mund të kenë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë