Ekonomi

Ekspertët shfryjnë entuziazmin e Ramës: Eurobondi, elektoral. Kryeministri s’pyet se kujt ia lë barrën

Eksperti në fushën e ekonomisë Zef Preçi nuk e ka “përjetuar” me aq entuziazëm marrjen e borxhit prej 650 mln eurosh në tregjet ndërkombëtare sa kryeministri Rama. Për Preçin nuk ka vend për entuziazëm kur flitet për borxh. Po ashtu edhe për ekspertin Elvin Meka.

Ky i fundit shprehet se termat e eurobondit gjithsesi janë të pranueshme. “Nuk ke ç’pret më shumë”. Nuk di çfarë ka entuziazëm në financa. Vetem në Shqipëri, njerëzit që drejtojnë financat janë entuziastë!”, thotë ai.

Në një bisedë me Gazetën “Si”, eksperti Preçi ngre pyetjen: “Pse qeveria kërkoi një shumë parash më shumë se ç’i duhet, madje kur nuk ka një plan konkret zhvillimor se ku do t’i drejtojë ato para?”

Sipas Preçit, kërkesa për një shumë të tillë dhe entuziazmi i qeverisë tregon pikërisht frikë ndaj sjelljes së tregjeve.

Për ekspertin Preçi në një situatë të tillë dhe një shumë e tillë borxhi është një risk i madh për ekonominë, “por e gjithë kjo është një shfaqje elektorale e një qeverie dhe kryeministri, i cili e di që do të ikë dhe nuk pyet se kush do ti paguajë borxhet që do të lërë mbrapa”.

Duke iu referuar krahasimit të kryeministrit me Maqedoninë, Preçi thotë që termat janë shumë afër dhe se edhe aty nuk ka vend për t’u krenuar.

Në sytë e Preçit ekonomia nuk është ashtu siç e përshkoi kreu i qeverisë nën entuziazmin e marrjes së borxhit, por “në Shqipëri Covid-19 deri më tani ka nxjerrë nga puna 100 mijë njerëz, ndërsa biznesi është në pikë të hallit”.

Për Preçin qeveria duhet të hartojë paketa të mirëfillta mbështetëse për biznesin, jo lëmosha sipas tij, në mënyrë që të nxitet punësimi.

“Qeveria nuk ka një studim si do të performojë ekonomia në 12 muajt e ardhshëm. Duhet riparë buxheti dhe studiuar tregu që të investohet në sektorë që premtojnë dhe të përshtatemi me kushtet e reja të tregut.”- thotë Preçi duke theksuar se “besimi i ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë u vu re në konferencën bllof të donatorëve në shkurt, të cilët nuk kanë lëvruar ende asnjë monedhë nga ato që u premtuan”.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë