Shendet

Ekspertët: Përdorimi i aspirinës duhet të kufizohet

Mjekët nuk duhet të këshillojnë konsumimin e aspirinës çdo ditë për personat e predispozuar të kenë probleme me zemrën. Rekomandimi i propozuar bazohet në dëshmi që tregojnë se rreziku i efekteve anësore serioze tejkalon përfitimin e asaj që dikur konsiderohej një armë jashtëzakonisht e lirë në luftën kundër sëmundjeve të zemrës. Ekspertët amerikanë thonë se të dhënat e fundit tregojnë se marrja e rregullt e aspirinës rrit rrezikun e gjakderdhjes, veçanërisht në traktin tretës dhe tru.
“Nuk ka më një deklaratë të përgjithshme se të gjithë ata që janë në rrezik të shtuar për sëmundje të zemrës, edhe pse kurrë nuk kanë pasur probleme me zemrën, duhet të marrin një aspirinë”, tha Chien-Wen Tseng, studiues i mjekësisë familjare dhe shëndetit të komunitetit në Universitetin e Havait.
Sipas ekspertëve ka një grup studimesh që tregojnë se rreziku i shtuar i gjakderdhjes ndodh pasi dikush fillon të përdorë rregullisht aspirinën.
“Ne nuk i rekomandojmë askujt të ndalojë marrjen e vaksinës pa folur me një klinicist dhe definitivisht jo nëse ai ka pasur një sulm në zemër ose goditje në tru,” shtoi ajo.
Dy vjet më parë, Kolegji Amerikan i Kardiologjisë dhe Shoqata Amerikane e Zemrës kanë deklaruar se aspirina rekomandohet më pak për njerëzit në moshën 40 deri në 70 vjeç të cilët kurrë nuk kishin pasur një sulm në zemër ose goditje në tru.
“Kur shikuam literaturën mjekësore për kujdesin parësor, në shumë prej librave thuhej se në shumicën e njerëzve aspirina e marrë çdo ditë jepte efekte anësore dhe kishte më shumë raste me gjakderdhje se sa atakët kardiak. Dhe kjo nuk është gjakderdhje nga hunda, kjo mund të jetë gjakderdhje në tru”, tha Amit Khera, një nga autorët e udhëzimeve të grupeve mjekësore.
Studimet kërkimore kanë treguar gjithashtu se edhe pse përdorimi i aspirinës nga njerëzit që nuk kanë pasur një sulm në zemër ose goditje në tru zvogëlon rrezikun e atyre ngjarjeve, nuk ul numrin e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës ose shkaqe të tjera.
Draft raporti i grupit kombëtar të ekspertëve gjithashtu vë në dyshim një përdorim tjetër të aspirinës, nëse zvogëlon rrezikun e kancerit kolorektal.
Pavarësisht të dhënave të reja disa ekspertë nuk kanë hequr dorë nga rekomandimi i aspirinës, duke thënë se ka ende “dëshmi bindëse” për rolin e saj në parandalimin mpiksjeve të gjakut.
Andrew Chan, drejtor i epidemiologjisë së kancerit në Mass General Cancer Center, tha se provat e kontrolluara të rastësishme tregojnë gjithashtu se aspirina pengon rritjen e polipeve në zorrën e trashë dhe zvogëlon shanset që ato të bëhen kancerogjene, duke shtuar kështu një tjetër arsye të madhe sepse duhet përdorur aspirina në përditshmëri.
Burimi: The New York Times/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë