Shendet

Ekspertët në alarm: Rriten rastet e kancerit ‘të fshehur’

Nga Gazeta Si- Ekspertët kanë dhënë alarmin për një rritje të ndjeshme të kancerit të apandisitit,  duke paralajmëruar se rritja e papritur e diagnozave tek njerëzit nën moshën 50 vjeç nuk mund të shpjegohet.

Një studim, i botuar në Annals of Internal Medicine, ka treguar se numri i rasteve të kancerit të apandisitit është rritur ndjeshëm tek njerëzit e lindur pas viteve 1970.

Incidenca është trefishuar ose edhe katërfishuar në brezat e rinj krahasuar me ata të lindur në vitet 1940.

Duke folur për Daily Mail, Profesor Justin Stebbing, onkolog dhe studiues tha se për dekada të tëra, ky lloj kanceri hasej vetëm një ose dy herë në gjithë karrierën dhe pothuajse gjithmonë gjendej tek të moshuarit.

“Por rritja e rasteve të kancerit të apandesitit është e dukshme, veçanërisht tek të rinjtë. Është në thelb një formë e kancerit të zorrës së trashë dhe tani po shohim shumë më tepër njerëz në të 30-at dhe 40-at e tyre me këtë formë agresive të kancerit”, thotë Stebbing, duke shtuar se ende nuk ka një përgjigje se pse po ndodh kjo.

“Teoria mbizotëruese është se dieta ka një rol, konkretisht ushqimet ultra të përpunuara, por nuk ka një shpjegim të qartë mbi mekanizmin që e lidh këtë me kancerin. Mendoj se ka më shumë të ngjarë që një rritje e obezitetit të ketë ndikim, por ne nuk e dimë vërtet”.

Apandisiti është një ‘qese’ e vogël indesh e lidhur me zorrën në anën e poshtme të djathtë të barkut.

Organi formon pjesë të zorrëve dhe ndihmon në largimin e mbeturinave nga trupi. Ndërsa funksioni i tij i saktë është i panjohur, studiuesit thonë se mund të ndihmojë në mbështetjen e sistemit imunitar.

Megjithatë, organi gjithashtu mund të prodhojë qeliza kancerogjene, të cilat fillojnë të ndahen në mënyrë të pakontrollueshme, duke formuar tumore.

Këto mund të rriten ose nga qelizat që veshin apandisitin, ose nga kimikatet e përfshira në tretje.

Kanceri i apandesitit është ende i rrallë dhe vlerësohet të jetë 0.4 për qind e të gjitha kancereve të zorrëve. Kjo do të thotë se afërsisht 176 persona diagnostikohen me këtë formë të sëmundjes.

Shqetësimi midis ekspertëve është se një në tre raste tani ndodh tek të rriturit nën 50 vjeç, një përqindje shumë më e lartë se sa shihet në llojet e tjera të kancereve gastrointestinale.

Ekspertët paralajmërojnë se simptomat janë të paqarta dhe të lehta për t’u injoruar.

“Njerëzit mund të përjetojnë dhimbje të lehta barku, fryrje ose ndryshime në zakonet e zorrëve, të cilat janë ankesa të zakonshme për shumë gjendje beninje”, thotë doktori, duke shtuar se shumica e rasteve zbulohen vetëm pas operacionit për apandesitin, kur shpesh është tepër vonë për ndërhyrje të hershme.

Nëse kanceri kapet herët, pacientët kanë një probabilitet prej 67 deri në 97 për qind për të mbijetuar më shumë se pesë vjet pas diagnozës së tyre.

Por për ata, kanceri i të cilëve nuk kapet deri në fazat tre ose katër, kur është përhapur në pjesë të tjera të trupit, normat e mbijetesës janë dukshëm më të ulëta, me studime që vlerësojnë shifrën në rreth 50 për qind.

Në mesin e të rriturve të moshës 20 deri në 39 vjeç, vlerësimet sugjerojnë se rastet janë rritur mesatarisht me dy për qind në vit.

Në ata të moshës 30 deri në 39 vjeç, rastet janë rritur me pesë për qind në vit në përgjithësi.

Megjithatë, gjatë 30 viteve të fundit, diagnozat e reja të kancerit të zorrës së trashë janë rritur me 80 për qind në të gjithë globin, sugjerojnë studimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë