Shendet

Ekspertët: Imunizimi i tufës i panevojshëm në Shqipëri, dozë të tretë vaksine për të gjitha moshat

Imunologët  ndryshojnë mendim  dhe nuk janë më të bindur nëse imuniteti i tufës, duhet të jetë synimi për të mbrojtur popullata nga virusi covid-19.

I kontaktuar nga Gazeta “SI”, eksperti i shëndetit public, Alban Ylli thotë se me daljen e varianteve të reja të virusit, Delta dhe Omicron, imuniteti i tufës është një target që nuk realizohet nëse variantet e reja i shpëtojnë imunitetit dhe ka riinfektime.

“Me siguri tek ne duhet të jetë mbi 80% e popullatës me antitrupa (vaksinim ose e ka kaluar), por është e kotë që me daljen e varianteve të reja të përdorim konceptin e imunitetit të tufës”, thotë eksperti Alban Ylli.

Sipas tij, në Britaninë e Madhe është siguruar imuniteti i tufës është  mbi 95% me antitrupa, e përsëri Delta dhe Omicroni mbivendosen.

Imunologu i njohur, profesor Genc Sulçebe i pyetur nga gazeta “SI” shprehet se dalja në skenë e variantit Delta dhe tani e atij Omikron, te cilët janë mjaft më  të transmetueshëm se variantet e mëparshëm, ka bërë që pragu i imunitetit të tufës të jetë deri në 90 %, nga rreth 70% që ishte me variantet e mëparshëm.

“Studimi dinamik i gjendjes imunitare të popullatës shqiptare ndaj Covid-19, i realizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vuri në dukje që në korrik 2021, se  rreth 73% e individëve të grup-moshave mbi 20 vjeç kishin antitrupa ndaj SARS-CoV-2, pra ishin të imunizuar. Kjo u arrit në sajë të vaksinimeve si dhe të infeksionit natyral”, thotë në prononcimin për gazetën “SI” mjeku imunolog Genc Sulçebe.

Sipas tij, për të arritur këtë prag të ri, nevojitet intensifikim i fushatës vaksinale që duhet të mbulojë jo vetëm individët e pavaksinuar akoma, por kërkon edhe rivaksinimin e të gjitha moshave me dozën e tretë përforcuese, që duhet të kryhet jo më vonë se 6 muaj nga doza e dytë ose nga momenti i infektimit të fundit.

“Kjo del e nevojshme sidomos për variantin Omikron, mbrojtja nga i cili kërkon patjetër dozën e tretë që të mos kemi riinfektime apo tejkalim të mbrojtjes vaksinale.

Kjo është e domosdoshme sidomos për moshat mbi 50 vjeç që janë më të rrezikuar nga format më të rënda të infeksionit”, thotë Sulçebe.

Mjeku i njohu imunolog thekson se përdorimi i maskave dhe distancimi fizik mbeten ndër masat më të nevojshme për evitimin e infeksionit, por vaksinimi dhe rivaksinimi sistematik janë tashmë masat më efektive për ndalimin e përhapjes së tij nëpërmjet arritjes së një niveli të larte dhe të qëndrueshëm të imunitetit kolektiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë