Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duket se do të jenë “kaviet” e para të një eksperimenti të madh politik të Bashkimit Europian. Sipas të gjitha gjasave Shkupi dhe Tirana do të marrin pas viteve në dhomën e pritjes “dritën jeshile” për negociatat, por rregullat e lojës duket se do të jenë të ndryshme.
Për të bindur Francën të tërheqë veton ndaj negociatave, Komisioni Europian ka propozuar ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, e cila duhet të miratohet zyrtarisht përpara samitit të Ballkanit Perëndimor në maj. Modeli i ri, i cili i rigrupon kapitujt e anëtarësimit në gjashtë faza, do të aplikohet fillimisht vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do të konsistojë në një sërë ndryshimesh të mëdha që mund ta bëjnë atë “eksperimentin më të sukseshëm” të BE-së. Kryefjala e kësaj strategjie është sundimit të ligjit.
Ai do të jetë blloku i parë që do të hapet dhe i fundit që do të mbyllet. Kjo do të thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të punojnë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë procesit në negociatave për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Eksperti Gledis Gjipali i thotë Gazetës Si se propozimi i Komisionit Europian pritet të jetë një shtysë e fuqishme për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke rritur presionin ndaj qeverive për ndërmarrjen e reformave.
Sipas tij, e gjithë ecuria e procesit të integrimit do të përcaktohet nga përparimet e arritura në sundimin e ligjit. Gjipali thotë se modeli i ri jep disa instrumenta për të mbyllur një bllok të tërë edhe brenda një viti, por se gjithçka varet nga vullneti i Shkupit dhe Tiranën.
“Rritja e presionit për sundimin e ligjit është një futje e re e Komisionit. Do të ketë një plan të posatçëm punë për sundimin e ligjit, i cili do të miratohet në konferencën qeveritare mes BE-së dhe vendit që synon anëtarësimin. Kjo do të bëjë që sundimi i ligjit të jetë një fushë e monitoruar mirë dhe arritjet në këtë fushë do të përcaktojnë edhe ecjen shpesh në negociatat e integrimit”, thotë ai.

Edhe pse kjo strategji prek në mënyrë të veçantë Ballkanin, dokumenti i paraqitur të mërkurën nga Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varheliy, kishte një audiencë tjetër. Publiku i saj kryesor ishte skena politike e brendshme e BE-së dhe jo Ballkani. Disa zyrtarë dhe diplomatë të lartë të unionit thonë se një nga qëllimet kryesore të dokumentit ishte të qetësonte Presidentin francez Emmanuel Macron, në mënyrë që ai të mos bllokonte hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Europian shpreson që rregullat e reja do të shmangin shtyrjen e mëtejshme të fillimit të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zyrtarët e BE thonë se Tirana e ka më të vështirë të marrë dritën jeshile për bisedimet, pasi Franca dhe Holanda kanë kushtëzuar miratimin e tyre që Shqipëria të nënshkruajë një marrëveshje për riatdhesimin e azilkërkuesve nga Parisi dhe Amsterdam.
Sipas Gjipalit, me miratimin e metodologjisë së re, do të ketë një rritje të jashtëzakonshme të presionit ndaj qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase me tryeza të vazhdueshme vjetore që të matin më përpikëri të gjitha arritjet. Ajo që pritet të rrisë ndjeshëm presioni është përfshirja e vendeve anëtare, të cilat e kanë bërë prej kohësh të qartë se nuk i besojnë raporteve pozitive të KE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kemi një element të ri që do të kemi përfshirje të vendeve anëtare, në hartim raporti vjetor të Komisionit, në monitorime me ekspertë në terren dhe pjesëmarrje në tryezën qeveritare që çdo bëhet çdo vit. Kjo behët për të shmangur kontraditat që kanë lindur, ku disa vende anëtare kanë mendim ndryshe nga Komisioni, të cilat sollën edhe veton e Francës për negociatat”, thotë Gjipali, Drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA).
Megjithatë, zyrtarë të tjerë të BE-së dhe shumë ekspertë të Ballkanit paralajmërojnë se strategjia e re e BE-së jo vetëm që injoron realitetin në terren, siç është mungesa e vullnetit politik dhe aftësia teknike për reforma, por që disa nga elementët e saj hapin dyert për komplikime të mëtejshme.
Një ide problematike e kësaj strategjie sipas tyre është se vendet anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit të integrimit”. Sipas disa diplomatëve perëndimorë, BE po mendon të krijojë ekipe të përziera në të cilat përfaqësuesit e vendeve anëtare do të bashkoheshin me institucionet ekzistuese të Brukselit, të përfshira në procesin e pranimit. Megjithatë, sipas Gjipalit, kjo nuk përbën shkak për shqetësim.
“Vendet anëtare futen në proces bashkë me Komisionin. Kjo përfshin monitorim, përfshirjen në raportin vjetorin dhe hartimin e punë për çdo vit. Dimensioni tjetër është politik, kemi një përfshirje më të madhe të politikës së vendit anëtar që synon anëtarësimin. Çdo propozim apo qëndrim që ka vendi të merret parasysh gjatë procesit të anëtarësimit. Çdo premtim politik do të duhet të mbahet, për të mos lënë hapësire në procesin e integrimit që ndryshe deklarohet e ndryshe veprohet”, i thotë ai Gazetës Si.
Megjithatë, disa zyrtarë në Ballkan janë thellësisht të alarmuar. “Përfshirja e shumë kuzhinierëve prish supën,” tha një zyrtar i qeverisë boshnjake, duke komentuar këtë ide, duke theksuar se vendet anëtare të BE-së tashmë janë të përfshira në proces përmes përfaqësimeve të tyre në institucione të ndryshme të BE-së. “Duke pasur parasysh kompleksitetin e burokracisë së BE-së, si dhe përvojën e hidhur të Ballkanit me mesazhe shpesh kontradiktore që vijnë nga brenda familjes së BE-së, zgjerimi në Ballkan kërkon një qasje më të thjeshtuar dhe harmonike, jo komplikime të mëtejshme dhe më shumë kakofoni, shtoi i njëjti zyrtar.
Sipas Gjepalit një ndryshim tjetër i rëndësishëm është edhe monitorimi më i shpeshte i reformave të arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Kemi edhe mbajtën e konferencës qeveritare çdo vit ku do të hartohet plani i punës dhe do të bëhet vlerësimi i ecurisë së reformave”thotë ai. “Metodogjia i jep më shumë rol Komisionit Europian për ta kthyer mbrapa procesin në rast se vendi që synon anëtarësimin nuk bën përparime. Është një armë më shumë për të deytyruar qeveritë e rajonit për të prodhuar më shumë rezultate.

Mundësia për konfuzion dhe ndërlikim është edhe më e madhe duke pasur parasysh që metodologjia e re e zgjerimit aplikohet zyrtarisht vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Nëse mirarohet, i bie që të ketë tjetër metodologji për dy vendet e tjera, Malin e Zi dhe Serbinë dhe tjetër metodologji për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi, duke ofruar edhe mnbështetje më të madhe do të jetë më atraktive që ti bashkohet edhe dy vendet e që tashmë kanë nisur negociatat. Gjithsesi kjo shton më shumë peshën tek puna e Komisionit i cili duhet të veproje me dy metodologji”, thekson Gjipali.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe paketa ekonomike që do të shoqërojë metodologjinë e re. Sipas propozimit të Komisionit, vendeve të rajonit do t’u ofrohen mbështetje më e madhe ekonomike përmes instrumenteve të ndryshëm financiar.
“Kjo paketë do të hartohet nga KE gjatë kësaj periudhe deri në samitin e Zagrebit. Deri më tani janë propozuar pjesëmarrje në programe dhe mbështetje më e madhe ekonomike nga Bashkimi Europian nëpërmjet programe që deri tani janë vetëm për vendet anëtare”,i thotë Gjipali Gazetës Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




