Përplasjet televizive në mbrëmjen e së enjtes mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, pas dorëzimit të mandateve parlamentare prej kësaj të fundit, mund të rezultojnë të fundit, të paktën deri në një urdhër të dytë.
Burime të sigurta për Gazetën “Si” deklarojnë se një mesazh ka mbërritur në telefonat e të gjithë deputetëve dhe ministrave të Qeverisë. Mesazhi është i qartë dhe nuk lë vend për interpretim: Deputetëve dhe ministrave u kërkohet që të mos dalin më në debate publike televizive me përfaqësues të Partisë Demokratike, apo të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ideja e mesazhit është që debati politik zhvillohet në Kuvend. Por, për sa kohë opozita injoron debatin në Kuvend, mazhoranca do të kundërpërgjigjet duke injoruar përplasjen me opozitën në studiot televizive. Lëvizja është një kundërpërgjigje e mazhorancës ndaj vendimit kolektiv të opozitës për të djegur mandatet.
Në mungesë të debatit në Kuvend dhe të atij nëpër studiot televizive, tashmë përplasja mes mazhorancës dhe opozitës është e zhvendosur totalisht në distancë. Kanalet kryesore të komunikimit do të jenë rrjetet sociale, por edhe konferencat për shtyp me akuza e kundërakuza, që në ditët e javët në vazhdim pritet që të jenë më të shpeshta nga të dyja kampet.
Më 21 shkurt, në përfundim të protestës së thirrur para Parlamentit, Lulzim Basha orientoi turmën në drejtim të Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar zyrtarisht kërkesën e lënies së mandateve në grup. Pas dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës, Departamenti Amerikan i Shtetit, Brukseli zyrtar, por edhe kancelaritë krysore evropiane, e konsideruan si gabim veprimin e deputetëve të PD dhe LSI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





