Ngjarje

Ekskluzive/ ‘Giro d’Italia’, ja ku do të kalojë në Shqipëri një ndër turet më të famshme në Europë të çiklizmit!

Nga Gazeta Si - “Giro d'Italia” e vitit 2025 do të nisë nga Shqipëria, duke hyrë në histori pasi asnjëherë nuk ka patur një start të tillë nga vendi ynë. Nisja do të përfshijë tre etapa shqiptare, duke filluar nga 9 maji.

Gazetasi.al ka zbuluar se cilat janë këto etapa në vendin tonë që konsiderohen të një vështirësie të mesme të lartë. Etapa e parë e cila do të zgjasë 152 km do të startojë nga Tirana, duke u ngjitur nga qyteti drejt Malit të Dajtit deri në Surrel për të vazhduar më pas në drejtim të Elbasanit dhe Cërrikut, duke ndjekur rrugën drejt qytetit të Rrogozhinës dhe për të përfunduar në qytetin e Durrësit. Kjo etapë është relativisht me reliev të ulët dhe pika më e lartë është në Gracen ku arrin lartësinë deri në 778 m.

Etapa e dytë do të jetë tërësisht në Tiranë dhe fshatrat e kryeqytetit. Nga qendra do të kalojë deri në Sauk, më pas në unazën e re drejt Sheshit “Shqiponja” për t’u rrotulluar dhe do të rikthehen në qendër. Një etapë fushore kjo e cila do të jenë e kategorisë së kronometrit.

Ndërkohë etapa e tretë do të jetë edhe më e vështira. Kjo etapë do të zhvillohet në qarkun e Vlorës për një distance rreth 160 km. Gjithçka starton nga qyteti, për të kaluar më pas në zonën e Lumit të Vlorës drejt Qeparoit ku do të kalohet në rrugën e bregdetit në drejtim të Qafës së Llogarasë dhe për të përfunduar në qytetin e Vlorës sërish. Kjo do të jetë një nga etapat më të vështira pasi do të ketë disa pika shumë të larta si ajo e Llogarasë, 1030 m apo e majës së Shkallës 572 m.

Pas etapave në Shqipëri, gara do të kalojë në Itali, duke nisur nga Pulia. Nga atje, itinerari do të shkojë në veri, duke ruajtur një përbërje të ngjashme me edicionin e mëparshëm. Vështirësia do të shpërndahet përgjatë gjithë itinerarit. Ky format u miratua për të siguruar një ekuilibër më të madh.

Mauro Vegni, drejtor i garës, përmendi surpriza përgjatë rrugës, të tilla si shtrirje të mundshme të rrugëve të dheut dhe risi të tjera që ende nuk janë zbuluar. Një nga ndalesat kryesore do të jetë në Bormio, një vend alpin i njohur për ngjitjet historike si Gavia dhe Stelvio, megjithëse ky i fundit u anulua në vitin 2024 për shkak të rrezikut të ortekëve.

Giro 2025 do të kalojë gjithashtu kufijtë për të përfshirë në skenë edhe Slloveninë, duke i shtuar garës një efekt ndërkombëtar. Vegni shprehu dëshirën për të parë të marrin pjesë çiklistë elitë si Pogacar , Vingegard, Evenepoel dhe Roglic, megjithëse pranoi se kjo është e ndërlikuar.

Finalja e fazës së parafundit do të jetë në Sestriere, një ngjitje ikonë që mund të vendosë klasifikimin e përgjithshëm përpara se të mbërrijë në Romë më 1 qershor. Itinerari final do të prezantohet më 12 nëntor në Romë, ku do të zbulohen detaje të mëtejshme mbi garën dhe fazat e saj.

Megjithatë është zbuluar se kjo do të ketë një kosto shumë të lartë për vendin tonë në aspektin financiar, për të mos folur për bllokimet e rrugëve, apo i të gjithë kryeqytetit gjatë etapës së dytë. Në fillim bisedat për kostot e vendit tonë shkonin në 15 milionë euro, një shifër krejtësisht e papërballueshme, por më pas u zbrit pas ndërhyrjeve, siç raportohet, të politikës dhe saktësisht kryeministrit Rama dhe Meloni në rreth 7 milion euro.

Por ndërkohë që nga Italia, që është edhe vendi organizator i këtij eventi historik dhe shumë të madh sportiv, Federata Shqiptare e Çiklizmit nuk ka asnjë njoftim zyrtar për të edhe pse etapat janë ndarë dhe inspektimet janë kryer në disa faza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë