Worldwide Developers Conference 2025, ngjarja e përvitshme e Apple u mbajt më datë 9 duke zbuluar risitë e fundit të programeve dhe teknologjive, përfshirë versionin e ri të iOS.
Platformat e programeve u fokusuan kryesisht te një pamje e re, integrimi i Inteligjencës Artificiale dhe mjetet e produktivitetit. Më poshtë ju njohim me risitë që do të ketë iPhone juaj me versionin e ri të iOS.
iOS 26 ndryshon dizajnin
Ndryshimi më i madh i iOS që pas vitit 2013 kur ikonat u bënë më të sheshta. Liquid Glass tanimë ofron një ndërfaqe më të ndritshme, me reflekse dhe elementë transparentë që duken si “xham”. Liquid Glass do të funksionojë si xham, ngjyra e ekranit do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes dhe do të përshtatet me mjediset e errëta dhe të lehta. Kjo do të reflektohet edhe në Lock Screen e Home Screen që do të përshtaten me pamjen e re. Ndërfaqja do të aplikohet në të gjitha pajisjet e Apple.

Emërtim i ri
Numrat në seri si iOS 19 dhe macOS 19, janë pjesë e së shkuarës. Apple do të përdorë vitin për të emërtuar numrat duke bërë që të gjitha programet tanimë të quhen iOS 26, iPadOS 26, macOS 26, tvOS 26, watchOS 26 dhe visionOS 26.
Inteligjenca Artificiale do të bëjë disa gjëra për ju
Call screening është një risi e iOS 262 që kur merrni thirrje nga një numër i panjohur, funksioni do t’i përgjigjet në sfond pasi telefonuesi të thotë emrin dhe arsyen e telefonatës. Më pas celulari juaj do të bjerë dhe mund të shihni përgjigjen e tyre para se të vendosni për t’u përgigjur ose jo.
Hold assist do të thotë se kur të kontaktoheni nga një agjent për shembull, mund të ruani vendin. Aplikacioni do të dallojë muzikën që vendoset kur ju lënë në pritje dhe do t’ju pyesë nëse do që ta ruajë ai në vendin tuaj. Kur të shtypni “hold”, muzika ndalon por telefonata vazhdon, ndaj mund të vijoni të përdorni celularin ose të merreni me diçka tjetër. Pasi agjenti rikthehet, ju merrni një njoftim për të vazhduar telefonatën.

Mesazhet
Në Messages mund të vendosni një sfond të personalizuar, që mund të jetë edhe i gjeneruar nga IA përmes Image Playground. Në grupet e bisedave do të shtohet një opsion i shumëpritur, sondazhet. Apple Inteligence do të vërë re se kur mund t’ju nevojitet një i tillë, në varësi të bisedës. Gjithashtu do të jetë e dukshme kur dikush po shkruan.
Dërguesit e panjohur të mesazheve mund të kalojnë në një hapësirë të dedikuar ku mund ta shenjoni numrin si të njohur, të kërkoni më shumë informacion apo të fshini mesazhin. Dërguesit e panjohur nuk do të shfaqen te njoftimet duke ju shmangur mesazhet e padëshiruara. Megjithatë, do të vazhdoni të merrni mesazhe urgjente nga përdoruesit e panjohur, siç janë kodet e verifikimeve.
Përkthim në kohë reale
Live Translation do të jetë i disponueshëm në Messages, FaceTime dhe në telefonata. Falë Inteligjencës Artificiale, përdoruesit do të shohin që një mesazh përkthehet gjatë kohës që ata janë duke shkruar apo do të lexojnë me titra në gjuhën e tyre kur janë në FaceTime me dikë që flet në gjuhë të huaj. Gjatë telefonatave, fjalët tuaja do të përkthehen në kohë reale dhe dëgjuesi do të dëgjojë vetëm përkthimin në gjuhën e tij.

Visual Intelligence
Një analizues imazhi përmes Inteligjencës Artificiale. Kur të shihni një veshje që ju pëlqen në rrjetet sociale, mund të shtypni të njëjtin buton që përdorni për “screenshot” dhe Visual Intelligence do të kërkojë për imazhin e veshjes në Google Search dhe aplikacione të tjera.
Fotot
Vitin e shkuar, përdoruesit u mërzitën me pamjen e re të aplikacionit në iOS 18 dhe Apple njoftoi se do të rikthejë pamjen e dikurshme, por jo tamam. Fotot tani do të ndahen në kategoritë Library dhe Collections. Te kjo e fundit do të gjenden fotot e preferuara, albumet dhe mund të kërkoni në Library. Në Library, do të jetë më e lehtë për të parë fotot e fundit.
Kamera
Aplikacioni do të ketë pamje më të thjeshtuar dhe do të shfaqen vetëm dy modalitete, Photo dhe Video. Për modalitetetet e tjera si Cinematic apo Portrait, përdoruesit duhet të rrëshqasin majtas-djathtas me gisht.
Apple Wallet
Së shpejti aplikacioni do të mbajë një version dixhital të pasaportës dhe lejekalimet do të kenë opsione të reja për të lehtësuar udhëtimet. Pasaporta “nuk zëvendëson atë fizike”, tha Apple, por mund të përdoret në aplikacione që verifikojnë moshën dhe identitetin si edhe në disa kontrolle doganore. Lejekalimet do të lejojnë përdoruesit që të shohin progresin e valixhes së tyre që përmban një AirTag.
Maps
Apple Maps do të kuptojë më mirë rrugën tuaj dhe do të rekomandojë rrugë në varësi të trafikut. iPhone juaj do të mësojë rrugën tuaj të zakonshme dhe Maps do t’i sugjerojë, kështu që para se të shkoni diku, mund të shihni sa kohë do ju duhet. Edhe nëse nuk kërkoni udhëzime, iPhone do të sugjerojë rrugë alternative në rast trafiku që të mbërrini në kohë.
Përdoruesit mund të shënojnë edhe restorantet apo dyqanet që shkojnë dhe nëse duan t’i fshijnë, mund ta bëjnë me një lëvizje të gishtit.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.