Kur ekonomia botërore dukej se po merrte veten nga Covid-19, rritja e PBB-së është ngadalësuar ndjeshëm dhe në disa vende ka rezultuar edhe negative, për vitin 2022. Nga ana tjetër, inflacioni dyshifror, nuk lë vend për të rritje ekonomike globale.
Profesorët dhe ekspertët e ekonomisë japin mendimet e tyre se sa gjasa ka të ndodhë një recesion ekonomik global.
Jeffrey Frankel, Profesor në Universitetin e Harvardit, më parë ka shërbyer si anëtar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit Bill Clinton.
Po. Një recesion global mund të shmanget.
Gjithsesi shanset për këtë janë më të pakta në Europën e goditur nga reduktimi i furnizimeve me gaz nga Rusia, Kina ku janë rikthyer kufizimet e Covid-19 dhe vende të tjera që po dëmtohen nga problemet me borxhin publik.
Edhe ekonomia e SHBA-së po përjeton një ngadalësim. Unë vazhdoj të mendoj se rritja negative e tremujorit, nuk do të thotë edne recesion për ekonominë e Amerikës.
Por një recesion global? SHBA-ja nuk është i vetmi vend ku rritja negative e ekonomisë nuk është kriter për të përshkruar recesionin.
Shikoni PBB-në globale. Ka qenë e rrallë në periudhën e pasluftës që rritja globale të bjerë nën zero edhe për një tremujor të vetëm, e lëre më dy. As rëniet më të mëdha ekonomike të 1974 dhe 1981 nuk ishin të tilla. Edhe në periudha recesioni, rritja negative në ekonomitë e përparuara zakonisht tejkalohet nga rritja ende pozitive midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. (Dy përjashtime ishin kriza financiare globale e vitit 2008 dhe recesioni i shkaktuar nga pandemia e vitit 2020.)
Fondi Monetar Ndërkombëtar tani parashikon që rritja globale e PBB-së do të ngadalësohet nga 6.1% në 2021 në 3.2% në 2022 dhe 2.9% në 2023. Ky është një ngadalësim i rëndësishëm.
Edhe me kritere më të lehta si rritja e PBB-së nën 2.5%, recesioni global është shumë larg të qenit i pashmangshëm.
Anne O. Krueger, ish-kryeekonomiste e Bankës Botërore dhe ish-zëvendësdrejtore e parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar,
Kur filloi pandemia e Covid-19, njerëzit shkurtuan shpenzimet e tyre. Megjithëse papunësia u rrit dhe furnizimet ranë ndjeshëm për shkak të masave të kontrollit të pandemisë, pjesa më e madhe e humbjes së mundshme të të ardhurave u kompensua nga politikat e qeverisë. Në Shtetet e Bashkuara, madje paguheshe të ishte i papunë.
Rezultati ishte: kursimet personale u rritën. Kur kufizimet antiCovid u lehtësuan më vonë, kërkesa u rrit me shpejtësi. Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, koha e nevojshme për të rifilluar prodhimin dhe mungesat e vazhdueshme të punëtorëve rezultuan në reagime dukshëm më të ngadalta të furnizimit.
Në SHBA, kjo rritje e kërkesës në fillim tejkaloi ndjeshëm rritjen e ofertës, duke çuar në presione inflacioniste. Akti balancues i Bankës Federale është i vështirë: zbehja e kërkesës është e garantuar.
Nëse gjykimi i politikëbërësve është i saktë, SHBA-ja mund të rikthejë normën objektiv të inflacionit dhe rritjen ekonomike pa rënë në recesion. Ajo që ndodh në pjesën tjetër të ekonomisë globale është edhe më e pasigurt. Efektet e luftës në Ukrainë dhe mungesa e energjisë europiane lidhur me të, ngadalësimi ekonomik i Kinës dhe vështirësitë e mundshme të borxhit të disa vendeve në zhvillim, janë ende të paqarta.
Inflacioni dhe recesioni varen nga të panjohurat si kohëzgjatja e luftës në Ukrainë, si dhe nga faktorët e renditur më sipër.
Por një recesion global sigurisht nuk është i pashmangshëm.
Jim O’Neill ish-drejtor i Goldman Sachs Asset Management dhe ish-ministër i thesarit në Mbretërinë e Bashkuar, është anëtar i Komisionit Pan-Europian për Shëndetin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Ndryshe nga praktika e zakonshme në ekonomitë perëndimore, një recesion global nuk përkufizohet realisht nga dy tremujorë radhazi të rritjes negative të PBB-së, sepse në shumë ekonomi të mëdha në zhvillim, si India p.sh, kushte të tilla ndodhin shumë rrallë.
Edhe nëse shumë ekonomi perëndimore po përjetojnë tremujore të njëpasnjëshme të rritjes negative, ne mund të përfundojmë me një recesion “global” në të cilin rritja mesatare e PBB-së botërore është rreth 2%.
Gjatë 25 viteve të fundit, SHBA-ja dhe Kina mes tyre shpesh kanë regjistruar më shumë se 80% të rritjes vjetore të PBB-së globale. Pra, nëse këto dy ekonomi janë të dyja në versionet e tyre përkatëse të recesionit, atëherë kjo do të garantojë praktikisht një rënie globale.
Duke pasur parasysh dobësitë dhe sfidat e tyre aktuale, një skenar i tillë është mjaft i mundshëm. Por unë jam më pak i bindur për këtë sesa ndoshta isha disa muaj më parë. Kjo për shkak se ka prova se rritja e inflacionit ka qen të paktën deri më tani kalimtare.
Nëse kjo vazhdon, bankat qendrore do të bëhen më pak të ashpra dhe nuk do të duhet të dobësojnë më tej ekonomitë e tyre për të stabilizuar çmimet. Ndikimi i Rusisë në çmimet e gazit natyror në Europë të do të thotë se një recesion atje është i mundshëm.
Stephen S. Roach, anëtar i fakultetit në Universitetin Yale dhe ish-kryetar i Morgan Stanley Asia
Pavarësisht parashikimeve, për mua vlerësimi i rrezikut të recesionit ka qenë gjithmonë një proces me dy hapa: alarmi për shpejtësinë që ndodh bllokimi i ekonomisë dhe ndikimi nga goditjet që nuk shmang dot.
Ekonomive, qoftë të vendeve të veçanta apo të botës në tërësi u mungon elasticiteti për të përballuar goditjet. Për ekonominë globale, pesë recesionet e fundit kanë ndodhur të gjitha kur rritja e PBB-së botërore ra nën pragun 2.5%. Gjysma e poshtme e këtij diapazoni, 2.5% deri në 3%, është veçanërisht ogurzi, një parashikim i përsosur i recesionit global. Vlerësimi aktual i rritjes globale të Fondit për vitin 2022 prej 3.2% përfaqëson një rënie prej 1.7 % nga vlerësimi i tij i tetorit 2021.
Ekonomia europiane, e goditur nga mungesat e energjisë që rrjedhin nga lufta ruso-ukrainase, inflacioni më i lartë dhe shtrëngimi monetar i Bankës Qendrore Europiane duhet të udhëheqë rrugën. Ekonomia e SHBA-së sapo ka filluar të ndjejë efektet e vonuara të një ndryshimi shumë më kufizues se ajo europiane.
Së bashku, Europa, SHBA dhe Kina përbëjnë rreth gjysmën e PBB-së botërore në bazë të fuqisë blerëse. Me asnjë ekonomi tjetër në gjendje të mbushë boshllëkun, kam frikë se një recesion global duket me të vërtetë i pashmangshëm./Project Syndicate
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



