Nëse do të investoje 100 dollarë para një viti në bursë, sot do kishe 154 dollarë. Por nëse do t’i investoje në një kompani duhani, do të kishe 165 dollarë.
Rritja e çmimit të aksioneve reflekton një fenomen të çuditshëm ekonomik. Vitet e fundit, marzhi operativ për një cigare të shitur në Amerikë është rritur nga rreth 50% në rreth 60%. Këtë vit prodhuesit e cigareve dhe purove pritet të bëjnë 22 miliardë dollarë fitim në ekonominë më të madhe në botë. Shifra shumë të mira për një industri që po vdes.
Dekadën e shkuar, numri i amerikanëve që pijnë duhan ka rënë me 20 milionë. Numri i paketave të shitura ka rënë me 1/3. Burime të brendshme nga industria presin një rënie akoma më të fortë në vazhdim. Normalisht, kur klientët ikin, biznesi vuan. Por pse biznesmi i duhanit po lulëzon? Sepse prodhuesit e duhanit e kanë lexuar mirë këtë libër.
Kur shumë njerëz pinin duhan, ishin më të ndjeshëm ndaj çmimeve dhe rritjes së tyre. Por me rritjen e njerëzve që kanë hequr dorë nga duhani, kompanitë kanë rritur kostot, shumë më shpejt. Në vitin 2017, çmimi i një pakete Marlboro u rrit vetëm pak më shumë se çmimet e përgjithshme (2.9% kundrejt 2.1%). Vitin e kaluar inflacioni i përgjithshëm ishte 3%. Por çmimet e Marlboro u rritën me më shumë se 7%.
Kompanitë e dinë saktësisht se çfarë po bëjnë. “Ne mund të vazhdojmë të rrisim çmimet për të kompensuar rëniet e klientëve,” sipas Imperial Brands, e cila prodhon gjithçka, nga cigaret Davidoff deri tek letrat e rrotullimit Rizla. Philip Morris International flet për “rezistencën e modelit tonë të djegshëm”.
Në rezultatet e fundit nga British American Tobacco, me famë Lucky Strike, tha se në Amerikë “çmimi më shumë se kompenson rënien e vëllimit”. Prodhuesit nuk mund ta kryejnë këtë truk pafundësisht: në një moment edhe duhanpirësit më të vendosur do të vdesin, do ta lënë ose do të kalojnë në cigaret e tregut të zi. Për momentin, megjithatë, perspektivat e industrisë janë po aq të pasura sa një shtëllungë e bollshme tymi./ TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



