Financat parashikojnë që pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia ta tkurrin ekonominë 4,3%, një rënie më e vogël se ajo që kanë parashikuar institucionet ndërkombëtare për Shqipërinë, 5%.
Kurse rimëkëmbja pritet të ndodhë gjatë tre viteve të ardhshme që sipas Ministrisë do të ndodhë si rrjedhojë e zhvillimeve në vend, rritjes së investimeve dhe nxitjes së konsumit.
Referuar Ligjit Organik të Buxhetit të ndryshuar për të tretën herë, i cili u diskutua në parlament sot (të mërkurën) sipas financave do të jetë i përkohshëm, rritja e defiçitit buxhetor parashikohet në 8.4% e PBB dhe e borxhit publik total në nivelin rreth 80% të PBB.
Sipas financave, tkurrja e pritur në investimet private pritet të kompensohet nga një nxitje e fortë e investimeve publike, jo vetëm me investimet publike tipike në infrastrukture që këtë vit janë planifikuar rreth 16% me tepër se një vit më parë, por edhe nga investimet publike për ri-ndërtimin nga tërmeti.
Ndryshimet në buxhet parashikojnë reduktimin në masën -63.1 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, kundrejt planit fillestar 2020, si rrjedhojë e impaktit negativ të pandemisë Covid-19.
Si rezultat i efekteve të mbylljes, në 6 muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u reduktuan me -17 % , krahasuar me vlerësimin fillestar të të ardhurave.
Tkurrja kryesore është në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar, si dhe në tatimit mbi të ardhurat si rezultat i pezullimit të pagesave të tatimit mbi fitimin për kompanitë dhe efekteve në tatimit mbi pagat nga reduktimi i numrit të të punësuarve.
Për shkak të gjendjes së krijuar nga efektet e pandemisë, sipas financave është parashikuar, që edhe ne 3-4 muajt në vijim, të rezultojmë përsëri me rënie në të ardhurat e programuara, në ritme më të ulëta se periudha që lamë pas.
Rritja e shpenzimeve buxhetore me rreth 30.16 miliardë lekë argumentohet nga ministria me synim kryesor injektimin me financim të sektorëve prioritarë të ekonomisë, specifikisht përmes investimeve publike.
Do të sigurohet procesi i rindertimit dhe vijimësia e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë: 14 miliardë lekë shtesë për fondin e rindërtimit, duke ulur vlerën e grantit nga 7 në 3 miliardë, por duke e çuar në vlerën 34 Miliardë lekë mbështetjen buxhetore.
Në terma të shpenzimeve korrente: Financimin shtesë në masën 900 milionë lekë të nevojës së NJVQV-ve për bonusin e qerasë sociale në kuadër të tërmetit të datës 26.11.2019, deri në fund të vitit 2020. Alokimin e fondit shtesë prej 400 milionë lekë për Skemën e Fermerëve, bazuar në tejkalimin e pritshërive të MBZHR për aplikimet e vitit 2020.Alokimin e fondit shtesë prej 500 milion ë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike, në menaxhim të AKSHI-t. Po ashtu financimin në masën 400 milionë lekë të programit të ri të anglishtes dhe IT-së për ciklin e ulët.
Rritje me 200 milionë lekë të fondit të planifikuar për skemën e Papunësisë, si rrjedhojë e parashikimeve dhe pritshmërive deri në fund të vitit 2020 dhe alokimin e një fondi prej 200 milionë lekë, si parakusht për përthithjen e mbështetjes buxhetore të BE në kuadër të Projekteve IPA.
Për OFL-në do të ketë një kosto prej 40 milionë lekësh, po ashtu do të ketë edhe një rritje të strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj.
Në terma të shpenzimeve kapitale: alokimin e fondit 4 miliardë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura në sektorin e infrastrukturës. financimin shtesë 1 miliard lekë për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi. alokimin e fondit shtesë prej 3 miliardë lekë për FSHZH, për programe zhvillimi, alokimin e fondit prej 2 miliardë lekë për projektin madhor të Unazës së Re të Tiranës dhe financimin e projektit të Rrugës së Ersekës në masën 800 milionë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




