Nga Gazeta ‘SI’ – Sulmet e rebelëve Houthi në Detin e Kuq kanë paralizuar tregtinë botërore. Kompanitë ndërkombëtare të transportit të mallrave janë përballë dilemës së një rruge të lirë por me rrezik nga Suezi, apo një rruge të shtrenjtë por të sigurt nga Afrika.
Besmir Rizaj, administrator i kompanisë së transportit të mallrave ‘Interport Logistics’ , tregon për Gazetasi.al se në një industri globale si ajo e tregtisë, edhe Shqipëria është njësoj e prekur nga zhvillime të tilla. Dhe sigurisht ka zgjedhur alternativën e dytë dhe pse më të shtrenjtë.
“Ne jemi detyruar të bëjmë rrugë të shtuar rreth Afrikës dhe rrjedhimisht kjo shton kohën e tranzitit dhe shpenzimet mbi naftën. Më pas rriten çmimet. Tani janë trefishuar. Një kontejner më parë i kushtonte 3 mijë dollarë një klienti, momentalisht ka shkuar në 7.6-8 mijë dollarë për rrugë”, tregon Rizaj.
LEXO EDHE:
– Ndërprerja e transportit në Detin e Kuq mund të zgjasë me muaj
– Sulmet nga piratët në Detin e Kuq/ Si lufta po zhvendoset tek tregtia botërore
– Sulmet në Detin e Kuq, kompanitë e transportit të mallrave po zgjedhin rrugë alternative
Ai tregon se kompania e tij ka momentalisht në tranzit mbi 50 kontejnerë të nisura pas 18 dhjetorit dhe sigurisht pritet të vonojnë edhe më tepër. Shqetësim për Rizajn, më shumë se sa kontejnerët në det është menaxhimi i situatës me klientët.
“Shqetësimi më i madh kur ndodhi ngjarja ishte si të menaxhojmë situatën, se ta njoftosh klientin e t’i thuash nga 3 mijë dollarë të është bërë rruga 7.6 mijë duhet të hysh në negociata, ndoshta nuk të besojnë dhe mund ta anullojnë. Pjesa më e madhe nuk e ndalojnë punën sepse e njohin tregun dhe rreziqet që i presin, por ka biznese që ikin, e shtyjnë dhe gjejnë lidhje me Turqinë apo Europën”, shpjegon administratori i ‘Interport Logistics’ për Gazetasi.al.
Sipas tij, deri më tani situata ka qenë e menaxhueshme dhe nuk ka ndikuar as tek produktet, por nëse kjo zgjat, Rizaj paralajmëron për një mungesë mallrash në tregun vendas dhe po ashtu një rritje çmimesh edhe për konsumatorin.
“Në rast se situata vazhdon gjatë, rritet çmimi fundor dhe mallrat do të jenë në mungesë. Në shumicën e rasteve bizneset e marrin vetë përsipër koston, se nuk rriten çmimet sot për nesër, por varet nga politika që ata do të ndjekin”, shpjegon Rizaj.
Të njëjtin parashikim kanë bërë edhe kompanitë ndërkombëtare të transportit, duke thënë se efekti nuk është ende i dukshëm, por se shumë shpejt ‘do ta ndjejmë të gjithë’.
15% e tregtisë botërore, 12% e naftës dhe 30% e prodhimeve për konsum kalojnë nga Kanali i Suezit i cili ndodhet në veriperëndim të Detit të Kuq. Ai është rruga më e rëndësishme e tregtisë botërore që lidh Kinën, eksportuesin më të madh të mallrave me Europën dhe SHBA-në. Rreziku në këtë rrugë i ka detyruar kompanitë e transportit detar të gjejnë rrugë alternative, por kostot janë të mëdha.
Militantët Houthi nisën të sulmonin anijet tregtare që lëvizin nga Deti i Kuq si një përgjigje për sulmet e Izraelit në Gaza.
Për ekspertët çmimit e larta nuk do të jenë i vetmi efekt i këtij bllokimi, por edhe fenomeni i njohur si ‘shrinkflation’ ku produktet dalin në treg në sasi dhe masë më të vogël, për të njëjtin çmim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




