Ekonomi

Ekonomia shqiptare përgjatë 2019-ës në pesë grafikë

Ekonomia shqiptare ka paraqitur një tablo jo optimiste për këtë vit që po përcjellim.

Pavarësisht disa treguesëve pozitivë, për eskpertët e ekonomisë ky vit nuk solli mirëqenie në xhepat e qytetarëve.

Situatën e ndikoi gjithashtu edhe tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi humbjen e 51 personave, plagosjen e 900 të tjerave dhe shkatërrimin e qindra ndërtesave private e publike, të cilat do të kërkojnë të rindërtohen.

Më poshtë po paraqesim disa nga sektorët e ekonomisë se si kanë performuar…

Tregtia e mallrave

Eksportet e kanë pasur një vit tejet të vështirë këtë që po mbyllet. Gjatë 11 muajve të vitit (të dhënat e fundit të disponueshme) eksportet kanë rënë me 4,1% krahasuar me një vit më parë.

Eksportuesit e kanë shpjeguar vështirësinë që po hasin me zhvlerësimin e euros, përfundimin e kontratave që vështirë të rinovohen për shkak të ngadalësimit të ekonomisë të vendeve partnere ku eksportojnë, po ashtu edhe tërmeti luajti rolin e tij për një pjesë të tyre.

Tekstilet janë sektori që ka ndikuar më negativisht në rënien e eksporteve.

Importet këtë vit për 11 muajt e parë kanë pësuar rritje prej 2,1% krahasuar me një vit më parë.

Punësimi

Punësimi rezulton me rritje gjatë 2019-ës. Edhe pse ekspertët vlerësojnë se rritja nuk është cilësore, për vetë faktin se vendet e reja të punës që hapen janë me paga të vogla dhe jo për njerëz të kualifikuar. Sipas tyre këtë e tregon edhe aspirata e të rinjve për tu larguar nga vendi.

Emigracioni

Emigracioni shihet si një nga shqetësimet më të mëdha dhe në rritje për vendin.

Ata që largohen janë kryesisht ndër profesionistët më të mire. Sipas shifrave të INSTAT-it, Shqipëria ka përjetuar një tkurrje neto prej mëse 200 mijë banorësh që nga viti 2001. Po ashtu parashikohet që vendi të humbasë edhe rreth 35 mijë banorë deri në vitin 2025.

Burimi:INSTAT

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, Lezha, Elbasani dhe Berati kanë nivelin më të lartë të emigracionit, duke bartur mungesën e fuqisë punëtore.

Në 2018 niveli neto i migracionit për Lezhën ishte -135 persona për 10 mijë banorë ndërsa për Beratin 105 persona. INSTAT do të raportonte se gjatë vitit 2018, për shumicën e rajoneve të vendit, emigracioni ka pasur një ndikim më të madh në ekonominë e këtyre qyteteve.

Kreditimi

Burimi:BSH

Viti 2019 ka shfaqur rigjallërim të huadhënies për ekonominë pas disa vitesh në stanjacion. Me bazë vjetore, (nëntor 2019/nëntor 2018), kredia për ekonominë është rritur me 6.3%, e ndikuar si nga leku ashtu dhe nga valuta.

Por, nëntori, (të dhënat më të fundit të disponueshme) tregojnë se viti nuk do të mbyllet optimimist për këtë sektor. Duke marrë parasysh edhe pasojat e tërmetit të 26 nëntorit që do të lënë gjurmë, jo vetëm në këtë sektor, por në të gjithë ekonominë në tërësi.

Në nëntor, huaja për ekonominë ka shënuar rënie.

Stoku i huasë për ekonominë sipas BSH-së është 568 miliardë lekë në fund të muajit nëntor, me një rënie të lehtë prej 329 milionë lekësh në krahasim me muajin e mëparshëm.

Kjo rënie ka ardhur si rrjedhojë e tkurrjes së huasë në valutë për korporatat, që ka rënë me 0.75%, ose me 1.5 miliardë lekë në raport me muajin e mëparshëm. Ndërsa kredia për individë ka vijuar tendencën rritëse, me 0.35% në raport me muajin e mëparshëm, si në lekë ashtu dhe në valutë.

Depozitat

Burimi:BSH

Të dhënat e BSH-së treguan se përpos tkurrjes së kredisë, edhe rritja e depozitave paraqitet në gjendje pezull. Në fund të muajit nëntor, stoku i kursimeve të bizneseve dhe individëve ishte gati 1 trilionë lekë, me një rënie të lehtë prej 575 milionë lekësh (-0.05%) në raport me muajin e mëparshëm.

Tkurrja ka ardhur nga kursimet në valutë, të cilat ranë me 2.2% me bazë mujore, ndërsa ato në lekë vijuan rritjen 0.5% në raport me tetorin, të udhëhequra nga kursimet e individëve në depozitat pa afat.

Ndërsa rënia e kursimeve në valutë erdhi si rrjedhojë e uljes së depozitave të individëve.

Pavarësisht tendencës rënëse të kursimeve në valutë në nëntor, ato vijojnë të dominojnë, duke përbërë 54.7% të totalit në fund të muajit nëntor, nga 53.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 1 pikë përqindje në një vit. Rënia e depozitave në lekë i ka bërë individët më pak të prirur të vendosin kursimet e tyre në banka. Që prej shtatorit të vitit 2011, kur Banka e Shqipërisë ndërmori politikën lehtësuese monetare, interesat e depozitave në lekë janë ulur vazhdimisht, duke qenë sot më pak se 1% për afatet 12 mujore.

Me bazë vjetore (nëntor 2019/nëntor 2018), depozitat në total janë rritur me 3.8%. Efektin më të lartë në këtë tendencë e kanë shënuar kursimet në valutë, të cilat kanë ndikuar në 80% të rritjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë